Kalimi në tunelin e Llogarasë do të kushtojë 5 euro për automjet dhe pagesa nis vitin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një intervistë për Top Channel. Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash, tuneli i Llogarasë bëhet kështu një rrugë jo e lirë për t’u kaluar, me gati 1 euro për kilometër.
“Tuneli i Llogarasë do ketë një shpejtësi rreth 80 km në orë, ka edhe kthesa. Tunelët e kanë shumë të vogël limitin mbi shpejtësi. Në tunel është e patolerueshme sepse mund të krijojë aksidente, ndërsa nuk lejohen parakalimet. Tuneli i Llogarasë është një vepër me pagesë, pasi do të ketë një mirëmbajtje me kosto të larta. Përllogaritet diku të 5 euro, por bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, jo për këtë vit”, theksoi Balluku.
E gjithë qeveria ka zbarkuar në Vlorë, ku paraditen e së premtes do të mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së tunelit, i cili u kushtoi taksapaguesve shqiptarë 170 milionë euro nga buxheti i shtetit. Punimet për ndërtimin e tij u realizuan nga kompania turke Intekar Yapi Turizm Elektrik në bashkëpunim me kontraktorin shqiptar Gjoka Konstruksion.
Mëngjesin e së premtes nuk ka munguar edhe një reagim nga kryeministri Edi Rama.
“Mirëmëngjes, dhe me tunelin e Llogarasë, një nga veprat historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama teksa ka publikuar edhe foto nga brenda tunelit.