25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pensionet rriten me 1500 lekë në muaj

Pensionet rriten me 1500 lekë në muaj

Këshilli Administrativ e Institutit të Sigurimeve Shoqërore miratoi vendimin për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve publike në masën 8.6 për qind. Kjo masë përcaktohet nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që sipas INSTAT rezulton të jetë rritur me 8.6 për qind këtë vit.

Pas miratimit në Këshillin Administrativ të Sigurimeve Shoqërore, vendimi do të kalojë për miratim në qeveri dhe rritja parashikohet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm. Sipas llogarive të qeverisë, nga data 1 tetor 2023, mbi 767 mijë përfitues të të gjitha kategorive të pensioneve do të paguhen të indeksuar me këtë përqindje.

Edhe pensioni social, që përfitohet nga personat rezidentë shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura, do të pësojë rritje në të njëjtën përqindje. Nga kjo masë do të përfitojnë 2,499 persona, në shkallë vendi.

Pensioni mesatar, i cili llogaritet si fondi total i shpenzimeve për pensione pjestuar për numrin e pensionistëve, do të rritet në 18,794 lekë në muaj nga 17,306 lekë që është aktualisht. Kjo do të thotë se mesatarisht pensionet do të rriten me rreth 1500 lekë në muaj.

Efektet financiare të politikës së indeksimit të pensioneve për tre muajt e mbetur të vitit 2023 llogariten në rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa ai mbartës për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *