29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Për pensionistët nuk ka rritje, indeksimi bëhet në Tetor

Ndryshe nga punonjësit e shtetit, të cilët do të marrin shtesën në pagat e tyre duke filluar nga data 1 prill, pensionistët do të duhet të presin muajin tetor për indeksimin e pensioneve. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, sqaroi se pensionet do të indeksohen sipas treguesit të inflacionit të përshtatur për pensionistët.

“Vjet kemi marrë në konsideratë inflacionin e shtatorit, ndërsa për indeksimin e radhës së pensioneve do të marrim indeksin mesatar të shportës së pensionistëve për periudhën shtator 2022-shtator 2023,” tha ministrja e Financave.

Ndryshe nga rrogat, për pensionet nuk do të ketë rritje reale, por vetëm indeksim për të kompesuar rritjen e çmimeve. Inflacioni që përdoret për indeksimin e pensioneve bazohet mbi çmimet e një shporte mallrash të përshtatur për pensionistët. Kjo shportë ka një strukturë tjetër nga ajo që përdoret për llogaritjen e inflacionit zyrtar, pasi përmban mallrat dhe shërbimet që konsumon më shumë kategoria e pensionistëve.

Sipas të dhënave historike, inflacioni i përshtatur për pensionistët rezulton përgjithësisht 1 deri në 2 pikë përqindje më i lartë se sa shkalla zyrtare e inflacionit.

Shqipëria numëron rreth 680 mijë pensionistë, ndërsa fondi total i pensioneve që paguan buxheti i shtetit për pagesat e pensionistëve është 161.5 miliardë lekë ose afro 1.5 miliardë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *