30 Nëntor, 2023
Tirana, Albania
Kryesore

Përfundon era e pagesave anonime në kriptomonedha

Kohës së pastrimit të parave përmes kriptomonedhave apo fshehjes së pasurisë në këto asete po i vjen fundit. Parlamenti Europian miratoi të mërkurën një kuadër të rreptë ligjor, i cili i jep praktikisht fund anonimatit të atyre që mbajnë pasuri në kriptomonedha si bitcoin apo asete të tjera.

Sipas ligjit, duke filluar nga viti i ardhshëm ccdo pagesë apo transfertë në kriptomonedha me vlerë mbi 1 mijë euro do të jetë e identifikueshme njësoj si transfertat bankare në monedhat tradicionale. Ligji, i cili u miratua me 517 vota pro, detyron kompanitë që ofrojnë shërbime të aseteve crypto dhe ato që ofrojnë shërbimin e pagesave që për cdo pagesë apo transfertë të identifikojnë dërguesin, por edhe përfituesin.

Në një deklaratë të lëshuar nga Parlamenti Europian menjeherë pas votimit, Stefan Berger, eurodeputeti që udhëhoqi miratimin e ligjit u shpreh: “Tashmë konsumatorët do të jenë të mbrojtur nga mashtrimi dhe tregu i kriptovalutave që u dëmtua nga kolapsi i kompanisë FTX mund të fitojë sërish besimin.”

Vitin e kaluar vëllimi i transaksioneve me kriptomonedha në Europë arriti në 845 miliardë euro ose sa 4.9 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm të vendeve të BE-së. Edhe pse kjo është një industri relativisht e re, rritja eksponenciale e saj ka krijuar shqetësimet se kriptomonedhat po përdoren gjerësisht nga organizatat kriminale apo zyrtarët e koprruptuar për të pastruar para.

Anëtarja e Komisionit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, Assita Kanko deklaroi se ligji i miratuar nga Parlamenti Europian e bën më të sigurtë tregtimin dhe mbatjen e pasurisë në kriptoasete për njerëzit që respektojnë ligjin. “Por ky draft e bën më të vështirë për kriminelët, terroristët dhe të sanksionuarit që të keqpërdorin kriptomonedhat dhe të pastrojnë paratë përmes tyre” u shpreh ajo.

Tregjet reaguan menjëherë pas votimit të ligjit. Vlera e bitcoin, që është dhe kritpomonedha më e madhe u ul me 2 për qind duke cekur nivelin 28 mijë dollarë, teksa rregullimi ligjor i Parlamentit Europian i jep fund parajsës së kriptomonedhave pa kontroll. Drafti për të rregulluar tregun e kriptomonedhave u propozua fillimisht në qershor të vitit 2020. Por diskutimet e tij morën gati 3 vjet kohë deri në miratimin një ditë më parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *