16 Mars, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Përfundon marrja në pyetje e Ilir Beqajt në SPAK! Ish ministri mbron koncesionin e sterilizimit

Pas gati një orë e 15 minuta ka përfunduar marrja në pyetje e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në Prokurorinë e Posaçme.

“Kirurgët operojnë në kushte sterile, financave i kursen 2.4 ditë qëndrimi në spital”. Kështu e mbrojti tenderin e sterilizimit ish-ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Pasi doli nga GJKKO ku iu komunikua dhe masa ‘detyrim paraqitje’, Beqaj tha se përveç rezervave, ka vendosur që mos të kundërshtojë vendimin. Ai tha se sterizilimi i dha mundësi më të mirë spitaleve.

“Përveç rezervave, kam vendosur që mos të kundërshtojë. Ajo që kemi bërë për shëndetësinë ka qenë një gjë e mirë. Për çështjen në fjalë bëhen 8 vite për çështjen në fjalë. Në këto 8 vite 400 kirurgët operojnë në kushte bashkëkohore, shqiptarët operohen në kushte sterile, dhe në çdo operacion i kursehen qëndrimet në spital.

SPAK e akuzon ish-ministrin për shpërdorim detyre për lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontratë koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Ish-ministri i Shëndetësisë do të hetohet për “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim” në procedurat e koncesionit nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë”.

Çfarë përmban dosja

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.

Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Krahas masës së sigurisë, ndaj ish-ministrit është caktuar dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Sipas SPAK, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duhet të anulonte kontratën koncesionare të sterilizimit, pasi kompania fituese dha një ofertë më të lartë se sa vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor.

Ai nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, çka do të ishte më e favorshme ekonomikisht, por kaloi direkt të procedura e dhënies me koncesion të shërbimit për sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish- zv.ministrit Klodian Rjepaj, si dhe kreu veprime që favorizuan kompaninë fituese.

Në dosjen penale ndër të tjera arsyetohet se Ilir Beqaj, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit do të ishte më e favorshme ekonomikisht.

Gjyqtari Erjon Bani në vendimin për caktimin e masës së sigurisë për Beqajn sqaron se ministri do të duhet të kishte konstatuar fryrjen e kostove, ndërsa janë kryer shkelje të procedurës e dhënies së koncesionit, për shkak se procedura e ndjekur për rastin në fjalë nuk parashikohej nga ligji. Në vendim analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.

Ai ka deklaruar se nuk e ankimon vendimin, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për hetimin e SPAK dhe nga ana tjetër ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *