21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Përfundon tuneli i rrugës së Arbrit

Një ditë më parë është bërë i mundur bashkimi i dy anëve të tunelit kryesor të Murrizit në Rrugën e Arbrit. Ky çast është pritur prej kohësh, por lajmet për problematika gjatë punimeve, që autoritetet i kanë cilësuar si “gjeologjike”, kanë sjellë vonesë në punimet e rrugës.

Burime nga fronti i punës thonë për gazetën Rruga e Arbërit se kishte dyshime se bashkimi do të kishte probleme, për shkak të terrenit të vështirë, por gjithçka shkoi sipas parashikimit. Duartrokitjet e momentit priten të bëhen publike së shpejti.

Tuneli i Murrizit është vepra kryesore e Rrugës së Arbrit. Me një gjatësi prej afro 3.8 km, ai pritet të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në qarkullimin e automjeteve. Vënia në funksionim e tij pritet të sjellë një rritje të qarkullimit në këtë aks rrugor që, që jo vetëm shkurton distancën mes qarkut të Dibrës dhe Tiranës, por shkurton me afro 100 km edhe distancën Tiranë-Shkup.

Tuneli kryesor ka dy korsi lëvizje me 3.75 metra si dhe trotuare me gjerësi 1.5 metra. Ai lidhet me tunelin e emergjencës me anë të 11 galerive. Ky i fundit ishte hapur në fillim të këtij viti.

Në tunel tani do të vazhdohet me proceset e betonimit, gërmimet, vendosja e pajisjeve elektromekanike etj. Punimet në Rrugën e Arbrit nisën në pranverën e vitit 2018 dhe parashikohet të hapen plotësisht për qarkullimin e mjeteve në fund të vitit 2024.

Gazeta Rruga e Arbrit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *