4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Përgjigjet e Kadastrës më keq se diktimi i klasës së parë/ Klientët: Shkresat me gabime të rënda

Shkresa qe lexoni me poshte është përgjigjja që kadastra ka kthyer pas një aplikimi për regjistrimin e një prone.

Përmbajtja e saj është vetëm katër fjali, të cilat jo vetëm janë formuluar krejtësisht gabim, por mbi të gjitha nuk kanë asnjë kuptim.

 

Zyrtarët e kadastrës kërkojnë që aplikimi të plotësohet me dokumente shtesë, por se cilat janë ato nuk thuhet, ndërsa qytetarit i mbetet vetëm të hamendësojë ose të bëjë riaplikimin, duke paguar për së dyti.

Kjo praktikë po ndiqet nga Riza Xhemollari, i cili përfaqëson  një zyrë projektimi, për llogari të klientit të tij

Jemi një studio projektimi. Dy klientë tanë kanë ardhur tek ne për një shërbim, por pikë së pari kërkohet që të identifikohen disa prona të cilat duhet ti regjistrojnë në emrin e tyre. Në këto kushte inxhinierja jonë i ka drejtuar në zyrë noteriale, sepse ata nuk e njohin sistemin. Pas aplikimit, klienti ka marrë përgjigjen. Mënyra sesi është shprehur Kadastra nuk kuptohet as nga noterët as nga studio jonë. Ne nuk dimë çfarë dokumentesh duhet të plotësojmë, -sqaron Xhemollari për Vizon Plus

Kjo është një nga format se si institucioni i kadastrës kthen përgjigje, të cilat nuk i japin zgjidhje aplikimit, përkundrazi zvarrisin më tej procedurën.

Nëse do të kishte një sportel fizik, aplikanti do të informohej lidhur dokumentet shtesë dhe do të kursente kohë dhe para.

Pas verifikimeve në sistemin për këto prona dalin të paregjistruara, por që ju të pajiseni duhet të plotësoni të tjera dokumentacione të domosdoshme dhe këtu mbaron përgjigja e Kadastrës. Ne nuk e kuptojmë. Klienti thotë ose më kthe leket ose më bëj punën. Në bashkëpunim me zyrën noteriale që ka bërë aplikimin nuk i kemi dhënë dot zgjidhje.

Por cili është efekti, që sjell paqartësia e shkresave nga zyra e kadastrës?

Ne humbasim imazhin me klientët. Nuk është puna për ato lekë që shpenzojmë, por më shumë është tek imazhi. Duket sikur ne jemi barrë për klientin dhe nuk japim dot zgjidhje.

Paqartësitë në komunikimin me zyrat e kadastrës janë shtuar edhe më shumë pas kalimit në sistemin online të të gjitha procedurave. Por rasti në fjalë tregon se nuk është vetëm sistemi problem, por janë dhe punonjësit që hartojnë shkresa jo profesionale, duke u kthyer në një barrë për qytetarët.

 Vizion plus

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *