17 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Përkeqësohet treguesi i ndjesisë ekonomike

Treguesi i ndjesisë ekonomike vijoi në rënie edhe gjatë muajit shkurt. Të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për muajin e dytë të vitit ky tregues ra me 2,6 pikë, krahasuar me janarin, ndikuar kryesisht nga rënia e besimit konsumator, si dhe i sektorëve të industrisë, shërbimeve dhe tregtisë. Ndërkohë që besimi në sektorin e ndërtimit regjistroi rritje

Treguesi i besimit të industrisë ra me 8.6 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet jo shumë optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë në rënie krahasuar me ato të një muaji më parë.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 2.2 pikë përqindje, ndikuar nga ecuria aktuale e aktivitetit, si dhe niveli i kërkesës. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë gjithashtu në rënie.

Treguesi i besimit në tregti u tkurr me rreth 10 pikë përqindje, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit dhe pritjet për punësimin. Bizneset e sektorit presin rënie të porosive dhe të ecurisë së biznesit edhe në të ardhmen e afërt, ndërsa çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rritje.

Treguesi i besimit konsumator vijoi rënien për të katërtin muaj radhazi, duke zbritur me 0.8 pikë përqindje në muajin shkurt. Ecuria këtë muaj u përcaktua nga pritjet më pak optimiste për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe për punësimin në të ardhmen janë rishikuar në rënie.

I vetmi sektor që regjistroi rritje në muajin e dytë të vitit, ishte ai i ndërtimit. Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues. Paralelisht me të, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *