30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Petrolifera fiton tenderin 7.2 mln euro për depozitimi e naftës së TEC-eve në Vlorë

Petrolifera Italo Albanese është shpallur fituese e tenderit 7.2 milionë me negocim të drejtëpërdrejtë për depozitimin e naftës që do të përdoret për termocentralet lundruese të Vlorës. Sipas njoftimit të publikuar në APP, tenderi kishte një fond limit prej 1.1 miliardë lekësh ose 10.3 milionë euro.

Por përmes procedurës së negocimit të drejtëpërdrejtë KESH dhe Petrolifera kanë rënë dakord për çmimin 7.2 milionë euro.

Njoftimi për tendering e “depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse për TEC Lundrues në Vlorë” u shpall në 31 korrik dhe procedura u zhvillua në 30 gusht. Sipas kontratës, Petrolifera do të kryejë shërbimin e shkarkimit të naftës nga anijet që do të mbërrijnë në Port, depozitimin e saj dhe më pas ngarkimin në kamionat, të cilët do të transportojnë tek dy termocentralet lundruese.

Supertender për blerjen e naftës

Nafta, që është e llojit të rëndë, do të blihet nga vetë Korporata Eleketroenergjetike Shqiptarë përmes një procedurë tjetër. Pak kohë më parë, KESH shpalli një thirrje për shprehje interesi për të siguruar 100 mijë tonë naftë përmes një marrëveshje kuadër.

Sipas dokumentave të depozituara na Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit për blerjen e karburantit është përcaktuar 10 miliardë e 267 milionë lekë ose më shumë se 100 milionë dollarë me kursin aktual.

Thirrja për shprehjen e interesit për kompanitë që janë të furnizuar KESH me karburant u shpall që në janar. Sipas saj, KESH kërkon të blejë fillimisht 100 mijë tonë karburant, të llojit naftë e rëndë që do të përdoret për prodhimin e energjisë nga dy termocentralet lundruese. Por nuk dihet ende se çfarë po ndodh më këtë procedurë prokurimi.

Burime nga KESH thanë për Kapitali.al se në fazën e parë shprehën interes disa kompani, kryesisht të huaja. Kjo është procedura më e madhe e prokurimit që është regjistruar ndonjëherë në Shqipëri për blerje mallrash. Fillimisht KESH kishte parashikuar që tenderi të zhvillohej në muajin maj, por burime nga Korporata thonë se tenderi u shty për shkak sepse nuk ishte ende gati infrastruktura e ngarkim shkarkimit.

Ndërkohë dy termocentralet lundruese kanë mbërritur në Gjirin e Vlorës prej gati një viti, por deri më tani ato nuk kanë punuar asnjë ditë, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse gjatë kësaj kohe KESH ka paguar para për to. Vetë KESH thotë se nuk ka paguar asnjë lek deri më tani, për shkak se dy anijet nuk kanë qenë në gjendje prodhimi për shkak të mungesës së infrastrukturës por edhe defekteve që kërkonin riparim. Por një sërë ekspertësh dhe opozita kanë akuzuar publikisht se për këto anije është paguar 90 mijë euro qira në ditë, që nga momenti i mbërritjes së tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *