4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

“Pika e voçkël” e Kumbaros, ministrja pranon në UNESCO se sakrifikoi Butrintin për “Manastiri Resort”

Raporti i UNESCO-ICOMOS kritikon me “shqetësim të thellë” rrudhjen e Parkut Kombëtar të Butrintit, pasi i janë hequr 600 ha.

Referuar paraqitjes së hartave të përfshira në këtë raport, kjo sipërfaqe fillon nga Ksamili dhe zgjatet deri në gjirin e Manastirit, që ministrja Mirela Kumbaroi i referohet si “pika e voçkël”. Aktualisht aty po ngrihet një resort luksoz.

“Ekziston një situatë ku zona tampon e Parkut Kombëtar e Trashëgimisë Botërore tani përfshin edhe një resort të madh turistik” – ngre shqetësimin raporti.

Duke e konsideruar një “qasje pragmatiste” vetë Ministria e Kulturës është justifikuar para grupit vëzhgues të UNESCO-s se “po sakrifikon këtë pjesë të vogël të vijës bregdetare, afërsisht 100-150 ha, por do të çimentonte zgjerimin e mëtejshëm të urbanizimit, duke ruajtur kështu 9000 ha nga parku kombëtar”.

Ai i referohet periudhës 26 – 28 tetor 2023 dhe përmban kritika mbi mënyrën e administrimit dhe ndryshime në kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Citizens Channel siguroi raportin nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) i tha Citizens se raportet nga misionet këshillimore mund të ndahen publikisht vetëm në marrëveshje me shtetet, palë të interesuara.

“Kjo tregon mungesë ndërgjegjësimi nga ana e autoriteteve për funksionin mbrojtës të zonës tampon”, – kritikon raporti vendimin e janarit 2022 për reduktimin e sipërfaqes.

Zona buferike e çdo trashëgimie botërore është një hapësirë tampon që rrethon zonën e mbrojtur, dhe si e tillë ka kufizime ligjore në përdorimin dhe zhvillimin e saj.

Heqja e kësaj sipërfaqeje prej 600 ha nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore. Rrudhja e zonës B simbolizon një ndryshim në sistemin mbrojtës të zonës buferike, e cila tani është jashtë Parkut Kombëtar.

Raporti shpreh se përveç krijimit të këtij fondacioni për menaxhimin e Parkut të Butrinit nuk është paraqitur asnjë alternativë tjetër.

“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore për një menaxhim të integruar të këtij parku që është pjesë e Trashëgimisë Botërore“- citohet në raport.

Zona A3, e cila ka një përqendrim të madh të monumenteve dhe potencialit arkeologjik, është e vetmja pjesë që parashikohet të jetë në menaxhimin e fondacionit të ri të krijuar nga bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), duke lënë jashtë menaxhimit pesë zona të tjera të parkut: zona A1, A2, B, C1 dhe D.

Në lidhje me qendrën e vizitorëve e cila ka kaluar nëpërmjet dy fazave dhe fituese është shpallur “Kengo Kuma & Associates“ misioni monitorues shprehet se nuk është informuar për asnjë detaj në lidhje me vendndodhjen, madhësinë apo natyrën e kësaj qendre.

Në rekomandimet e raportit theksohet që të dërgohet sa më parë një hartë e saktë me kufijtë e qartë të Parkut, që përfshin kufirin e pronës dhe kufirin e zonës tampon të kësaj trashëgimie botërore. Një dokument që pala shqiptare ka shkelur afatet, pasi duhet ta kishte dërguar që më 15 shkurt 2023.

Pasi Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike publikoi raportin UNESCO-ICOMOS, Gjykata Kushtetuese ka rihapur për gjykim çështjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Pala shqiptare në shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare

“Ka një shkelje flagrante të Konventës së Trashëgimisë Botërore ku Shqipëria aderon“- thotë për Citizens arkitekti Kreshnik Merxhani.

Sipas tij, neni 172 i Konventës së Trashëgimisë Botërore kërkon në mënyrë specifike nga pala shtet, që Qendra e Trashëgimisë Botërore të vihet në dijeni paraprakisht kur ka ide të caktuara, për të marrë vendime, hartuar projekte, apo politika që prekin në mënyrë direkte integritetin territorial fizik dhe anën menaxheriale të një trashëgimie botërore.

“Pala shtet e ka vënë UNESCON përballë një situate “de facto” që ne nuk ndryshojmë gjë dhe na pranoni kështu siç jemi“- thekson Merxhani.

Në maj të 2022 u miratua sot projekt-ligji për marrëveshjen mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Ministria e Kulturës dhe AADF themeluan Fondacionin për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritjeje.

Pas një seance të gjatë me debate të ndezura nga të gjithë palët, ligji i qeverisë u miratua me 75 vota pro dhe mori 18 vota kundër.

Një grup prej 36 deputetësh i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrinit, bazuar në një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.

“Një strukturë paralele me shtetin, që nuk jep llogari shtetit për shumë gjëra, nuk jep doganë, nuk jep akciza, nuk jep TVSH, pra dhe i mban të gjitha financat vetë dhe i menaxhon vetë“- analizon Kreshnik Merxhani.

Merxhani sugjeron se do ishte e udhës që Instituti i Monumenteve dhe i Arkeologjisë të ndërfuteshin në këtë mënyrë organizimi , në mënyrë më direkte, pa nevojën e ministrisë e cila në fund të fundit është nëj organ politik.

“Pa buxhete nuk ka asnjë lloj strategjie politike afatgjatë për të rritur cilësinë profesionale dhe administrative. Flas për sistemin publik, tani që i merret një nga vendndodhjet më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore, që nuk është e rëndësishme vetëm për fondin e madh të monumenteve, por edhe për financat që ka sjellë“- përfundon Merxhani.

Pasi e mbylli hetimin në nëntor 2023 dhe e rihapi sërish si çështje në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese pritet të mbaj seancën e radhës më 21 mars 2024.

/Citizens Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *