19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Plani për koncesion, AKSHI u nxin jetën bizneseve me certifikatën elektronike

Mijëra biznese po përballen më vështirësi në lëshimin e faturave për shkak se nuk mund të rinovojnë dot certifikatën e fiskalizimit. Prej gati dy muajsh, rinovimet e certifikatave të fiskalizimit janë vështirësuar në mënyrë të ndjeshme për shkak të një problemi me sistemin, përmes të cilit bizneset bëjnë pagesën 4 mijë lekë për llogari të AKSHI-t për t’u pajisur me certifikatën e fiskalizimit.

Pajisja me certifikatën elektronike është e domosdoshme për të gjitha bizneset, të cilat lëshojnë fatura përmes sistemit të fiskalizimit. Aktualisht çdo biznes është i detyruar të paguajë 4 mijë lekë për të marrë certifikatën e cila ka afat vlefshmërie 1 vit.

Por prej gati dy muajsh sistemi i pagesave online të certifikatës nuk funksionon. Sipas AKSHIT, problemet me sistemin kanë nisur pas sulmit kibernetik në një nga bankat e nivelit të dytë. Por dyshimet janë se pas kësaj historie qëndron plani i një koncesioni të majmë.

Plan për koncesion

Në shtator të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për të dhënë me koncesion monopol tek privati, infrastrukturën e çelësave publikë. Ligjet në fuqi detyrojnë çdo biznes që lëshon faturë, të pajiset me certifikatë elektronike. Kjo certifikatë sot prodhohet nga AKSHI dhe biznesi e paguan 4 mijë lekë ose rreth 35 euro në vit.

Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 162 mijë biznese aktive, nga të cilët minimalisht kanë detyrimin për t’u pajisur me certifikatë elektronike 130 mijë biznese. Kjo do të thotë se ky është një koncesion që garanton 4.5 milionë euro të ardhura në vit që tani.

Në Kroaci, një nga vendet e pakta në rajon që zbaton fiskalizimin ashtu si Shqipëria, certifikata elektronike gjenerohet nga Ministria e Financave. Kostoja me të cilën ajo u shitet bizneseve është 60 kuna ose 8 euro në vit. Pra 4 herë më pak se në Shqipëri.

Deri më sot bizneset e kanë paguar çmimin abuziv për llogari të AKSHI-t. Në një farë mënyre ky ka qenë një subvecionim i një ndërmarrje publike, ndonëse AKSHI paratë i shpenzonte në tendera që shkonin në një rreth të ngushtë kompanish me lidhje nepotike në majën më të lartë të qeverisë. Tani paratë do të merren drejtëpërdrejtë në llogari, pa qenë nevoja e tenderave.

Megjithatë ka dhe diçka tjetër. Të gjitha llogaritë e mësipërme janë bërë vetëm për bizneset, që sot kanë detyrimin ligjor për t’u pajisur me certifikatë. Modeli i tregut dhe korpusi i ligjeve të miratuara parashikon që nesër detyrimi për t’u pajisur me certifikatë elektronike ta kenë edhe qytetarët për çdo aplikim që ata bëjnë në institucionet e shtetit. Potenciali i këtij koncesioni është të arrijë deri në 10 milionë euro në vit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *