15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Po aq të korruptuar, por cilësisht ndryshe!

Irena Beqiraj
Nëse do te pyesnim kush vend është më i korruptuar Gana apo Amerika, përgjigja e zakonshme që marrim është Gana. Por nëse pyetjen do ta formulonim “nga çfarë lloji korrupsioni dominohet vendi?” përgjigja do te jetë e ndryshme. Amerika sipas matjeve të fundit shumë dimensionale të bëra nga shkenctarët e universitetit të Princeton rezulton po aq e korruptuar sa Gana.

Jo cdo gjë që ka vlerë matet. Kjo thënie nuk është askund më e vërtetë se sa në matjet e korrupsionit. Indekset standarde të të cilit së pari nuk arrijnë të bëjë dallimin midis llojeve të ndryshme të korrupsionit dhe së dyti, matjet konvencionale kapin kryesisht format e dukshme të paligjshme të korrupsionit që prekin më së shumti vendet më të varfra, të tilla si ryshfeti dhe grabitja e drejtpërdrejtë e aseteve shtetërore, ndërsa anashkalojnë format e legalizuara të kapjes së shtetit.

Matjet një dimensionale na kanë krijuar iluzionin që vendet e zhvilluara janë më pak të korruptuara , por nëse theksi vendoset tek dallimi i qartë midis 4 llojeve të korrupsionit pamja do të ndryshonte. Ndërsa 1) vjedhjet e vogla, 2) vjedhjet e mëdha 3) paratë e shpejta janë pothuajse gjithmonë veprime koruptive të paligjshme, lloji i katërt “korrupsioni në akses ” mund të përfshijë jo vetëm veprimet e paligjshme (rasti 5D) por edhe veprime terësisht ligjore ku përfshihen ligjet me porosi në favor të një grupi të vogël njerëzish të lidhur me pushtetin.

Fatkeqësisht kur njerëzit mendojnë e flasin për korrupsionin, korrupsioni i aksesit neglizhohet. Pensionistët e Vlorës nuk duan t’ja dinë sesi e se qysh shfrytëzohen pasuritë publike si Sazani apo Zvërneci, por ato janë të ndjeshëm kur eliminohet 100 lekëshi i rryshfetit të punonjëses së postës qe ju shpërndan cdo muaj pensionin.

Ndaj edhe socialistët janë të vendosur të luftojnë rryshfetin e punonjësve të postës, hipotekës etj, por do të vazhdojnë të miratojnë ligje si ” ligji i shembjes së pronave publike për interesa private, i cili është rasti me i freskët i korrupsionin të pastër në akses.

Matja e gabuar e korrupsionit nuk është thjesht një teknikë e gabuar. Në thelb, ai kërkon të përforcojë mesazhin iluziv edhe hipokrit se duke luftuar “korrupsionin e të varfërve” do të arrihet një gjendje e qëndrueshme e pastërtisë etike e domosdoshme për hyrjen në Europë. Por në realitet, korrupsioni nuk ka asnjë gjasë të zhduket. Përkundrazi, ai po ndryshon e do të vazhdojë të ndryshojë duke u bërë më i sofistikuar dhe të vendoset tërësisht në shërbim të forcimit të muskujve të pushtetit.

Sot grafiku ynë i korrupsionit I ngjan atij të Ganës , nesër ndoshta do të ngjasojë me atë të Amerikës, ” pra ne do të vazhdojmë në tërësi të jemi po aq të korruptuar por cilësisht ndryshe! A është kjo një arritje ? Sipas socialistëve po! Mesa po duket me këtë ndryshim në mënyrën sesi bëjnë korrupsion do të kërkojnë votën në zgjedhjet e 2025!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *