15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Uncategorized

Prapaskenat e intervistës së Fevzos me Drejtorin e Burgjeve

Ermal Mulosmani

Përtej pyetjeve formale për gjendjen reale të burgut të Peqinit (çfarë emri!), Fevzo ishte fort i interesuar për disa tema të tjera që nuk iu bënë të ditur publikut të gjerë. Këtë pjesë të intervistës po publikojmë më poshtë.

Fevzo: “Zoti Drejtor. Një nga pyetjet më interesante që më vijnë nga publiku është: Çfarë shohin të burgosurit në prime time”?

Drejtori: “Zoti Fevziu, është mjaft interesante sesi kanë ndryshuar balancat pas shkuarjes së Gridës në Top. Deri atëherë emisioni juaj ishte pakonkurencë. Tani, sapo vjen ora 7 e darkës njëfarë nervozizmi e përfshin krejt burgun. Ata nuk i durojnë dot lajmet dhe sidomos emisionin e gjobave të Filipit. Dëgjojmë ulërima, të shara, fishkëllima. Po u shteret durimi. Kur fillon sigla e Gridës, befas, sundon një heshtje varri”.

Fevzo e ndërpret i bezdisur: “A ka aparate në burg që masin audiencën? Nëse “jo” kjo do të ishte skandaloze, e papranueshme, për standartet evropiane të burgjeve. Unë u besoj vetëm shifrave zyrtare…

Drejtori (me mirësjellje). “Keni shumë të drejtë zoti Fevziu, jemi në bisedime me AMA-n që projektin e parë pilot ta sjellim në burgun me emrin kuptimplotë të Peqinit…Por deri atëherë kemi vetëm perceptimin e gardianëve. Siç ua thashë më lart, një heshtje varri pushton qelitë e burgjeve. Nuk dëgjohet as Grida, as miza. Të burgosurit kanë prekur butonin “mute” dhe ndjekin me të gjitha shqisat lëvizjet e Gridës. Edhe gardianët shohin nga frëngjitë e qelisë. Minutën e dytë që pason heshtjen dëgjohet një frymëmarrje e rënduar e sinkronizuar në gjithë burgun. Dalngadalë vazhdojnë rënkimet e lehta dhe në fund dëgjohen britma çliruese të njëpasnjëshme si batare automatiku. Deri sa vjen ulërima e madhe e njëkohshme, gërdeciane e korit të të burgosurve. Vetëm pas kësaj fillon kthimi në normalitet, bisedat, zërat e gëzuar, këngët…”

Fevziu: “Zoti Abrija. A ka ndonjë të burgosur që nuk i bindet këtij zakoni kaq banal”?

Drejtori: “Po zoti Fevziu, vazhdimisht kemi tentativa por të dështuara. Njëri burgosurit kishte takim special me gruan dhe po përpiqej të ruante koncentrimin. Por ishte e pamundur. Ai vendosi ta dëgjonte Gridën se ç’thoshte. I ziu ai! Dy minuta zgjati vëmendja. Sapo Grida futi dorën në xhep, këtij iu tha pështyma në gojë. Dëgjoi britma nga qelitë “O zot, të isha gishti Gridës”. Kaq ishte, u dorëzua. I dërgoi fjalë gruas të vinte javën tjetër.”

Fevziu: “Kjo është një e vërtetë tronditëse. Publiku po rend çdo ditë e më shumë drejt formës, të lehtës, konsumizmit, seksit. Është trendi i tiktokut. Por kjo situatë duhet të ndryshojë. Po emisionet e mia a ndiqen”?

Drejtori: “Patjetër që po, me shumë vëmendje. Zakonisht emisioni yt fillon një orë pas Gridës dhe audienca është më e relaksuar, fillojnë bisedat përmbajtësore. Sidomos kur flet për modë, kuzhinë, plazhe apo bujtina në male. Aty u zgjon imagjinatën. Disa edhe përloten. Është i vetmi moment kur kuptojnë që nuk janë të lirë.

Fevziu: “Po emisionet e krimit i ndjekin?”

Drejtori: “Oh, ato emisione janë “Portokallia” e burgut! Shkrihen së qeshuri kur dëgjojnë “specialitët e krimit” që rrëfejnë bëmat e këtyre që janë brenda. Historitë i dërgojnë këta, bashkë me zarfin brenda, dhe “ekspertët kriminalistë” i rrëfejnë “ekskluzivisht” te ti. Plas gazi në burg që çtë të them…”. Ato emisione janë Estradë Ballshi…”Fevziu vendos të ndërrojë temë.

Fevziu: “Si është dhoma e takimeve speciale? A ka kontroll shteti gjatë atyre takimeve?”

Drejtori: “Zoti Fevziu ne jemi burg demokratik, aty ku fillon intimiteti mbaron shteti”.

Fevziu: “Po sikur gjatë atyre takimeve të shfrytëzohen për qëllime kriminale?”

Drejtori: “Ai krim është i lejuar nga Rregullorja e burgjeve zoti Fevziu.”

Fevzo i pakënaqur ndërron temë sërish: “A ka shtuar qeveria investimet në burgje këto kohë”?

Abrija: “Kjo është padyshim epoka më e ndritur në historinë e burgjeve shqiptare! Janë në projekt për ndërtim edhe 10 burgje të reja me dhoma-suita, pishina private, palestra, spa e xhakuzi, fusha futbolli e tenisi. Kuvendi sapo miratoi që nga viti i ardhshëm gardianet në burgjet e meshkujve do të jenë vetëm femra! Burgjet shqiptare do të jenë shembuj në botë, të krahasueshme me resortet me 5 yje…”

Ndërsa Drejtori fliste me entuziasmin rilindas u dëgjua një zë nga thellësitë e qelive: “O Fevzi a ke *i gjë…”

Fevzo u gjet i papregatitur për një pyetje të tillë. Nuk dinte të qeshte apo të rrinte serioz. Pas një pauze të shkurtër iu kthye të burgosurit: Po mirë mo, pyetje është kjo? “Ke *i gjë” – thotë… Po njeriu pyet fillimisht: “Si tu dukën burgjet, kushtet, ushqimi, siguria, terrenet”. Ja këto janë pyetje serioze që i bën një gazetar (harroi që pyetësi ishte i burgosur).

“Ore lëri këto .rllëqe po më thuaj a ke .i gjë” – vazhdon me të tijën i burgosuri…
Në këtë moment nervoz Fevzo vendosi ta quajë të mbyllur intervistën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *