14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Skandali i mikrokredive/ Prokuroria sekuestron 10 milionë euro nga MCA dhe Final

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 10 milionë euro që u përkisnin dy institucioneve jo bankare Micro Credit Albania dhe Final. Paratë e depozituara në llogari pranë bankave të nivelit të dytë janë sekuestruar me urdhër të dy prokurorëve të cështjes Ndini Tavani dhe Arben Agovi përmes një procedure urgjente për të shmangur fshehjen e tyre nga dy kompanitë nën hetim.

Pak ditë më parë prokuroria e Tiranës lëshoi 9 urdhër arreste për drejtuesit dhe pronarët e këtyre dy kompanive, të cilat sipas organit të akuzës janë përfshirë në një skemë kriminale duke mashtruar mijëra qytetarë me kreditë.

Micro Credit Albania dhe Final dyshohet se kanë ngritur një skemë gjigande mashtrimi financiar, që e ka zanafillën në blerjen e kredive të këqija nga bankat. Pas blerjes së këtyre portofoleve, MCA dhe Final kanë zhytur në spiralen e borxheve mijëra qytetarë dhe dyshohet se kanë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme pronat e tyre.

Ndërkohë një ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur se BSH  në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare kishin urdhëruar bankat private që të bllokonin cdo veprim financiar me llogaritë e këtyre dy subjekteve për të parandaluar një lëvizje të mundshme të parave.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *