12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pronat e shtetit kolateral në banka/ Korporata e Investimeve do të shesë pronat publike dhe do të financojë investimet strategjike

E projektuar si një shoqëri, që do të mobilizonte kapital për realizimin e projekteve publike, objekti i Korporatës së Investimeve Shqiptare tashmë ka ndryshuar plotësisht. Këshilli Ministrave ka miratuar një vendim, i cili i jep të drejtën Korporatës që të shesë, japë me qira edhe madje t’i vendosë pronat publike edhe si garanci në banka për të marrë kredi.

“Pasuritë në pronësi ose përdorim të Korporatës, me qëllim përdorimin me eficiencë të pronës jepen me qira, enfiteozë, leasing, sipërmarrje, shitje, sigurimin e një kredie kolateral apo përmes formash të tjera përdorimi dhe zhvillimi të pronës, nëpërmjet konkurrimit publik,” thuhet në vendimin e qeverisë

Vlera më të cilën pronat do të shiten ose do të jepen me qira përcaktohet nga një Komision i Posaçëm brenda Korporatës.

Prona shtetërore në pronësi të Korporatës mund të shitet apo të përdoret si garanci, kolateral, peng apo hipotekë me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, me propozim të drejtorit ekzekutiv dhe/ ose Bordit Këshillimor, në bazë të vlerësimit të kryer nga Komisioni,” thuhet në vendim.

Procedura dhe forma e shitjes së pronave do të përcaktohen me vendimin e Këshillit Mbikqyrës së Korporatës.

“Korporata në marrjen e vendimit në shitjen e pronës mbështetet, por pa u kufizuar në to, në këto parime:
a) Shitja e pasurisë shtetërore kryhet për qëllim dhe në bazë të zbatimit të objektivave të Korporatës, të objektivave dhe prioriteteve të qeverisë, si dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi.
b)Procesi i shitjes së pronës shtetërore duhettë jetë transparent dhe i dokumentuar mirë për të parandaluar abuzimet në lidhje me përdorimin e pronës.
c)Vlerësimi i pronës kryhet bazuar në vlerën e tregut nga vlerësues ekspertë profesionistë.
ç)Shitja e pronës përbën alternativën më të mirë të mundshme për zhvillimin e saj dhe për mirëmenaxhimin e financave të Korporatës.
d)Blerësi i interesuar do ta përdorë pronën e blerë në përputhje me objektivat e projektit të investimit apo zhvillimit të qëndrueshëm, të miratuar në zonën ku ndodhet prona.

Para publike për investimet strategjike
Një tjetër pikë kontroverse e vendimit të qeverisë është ajo që lejon Korporatën e Investimeve të financojë projektet private të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik duke hyrë si partnere me privatin.

“Pjesëmarrja e Korporatës si bashkëzhvilluese apo bashkëfinancuese, vetë apo nëpërmjet krijimit të SPV-ve, në projektet e investimit në bashkëpunim me partnerë publikë apo privatë realizohet nëpërmjet procedurës përzgjedhëse mes partnerëve privatë, vendas apo të huaj, të dalë në funksion të realizimit të një projekti të ideuar/konceptuar/hartuar dhe propozuar nga partnerë privatë apo publikë, në rastin kur këto projekte kanë statusin e investimit strategjik,” autorizon vendimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *