14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Pse duhet në burg Fredi Beleri?

Motivet zyrtare të dhëna nga Prokuroria dhe policia e Vlorës për arrestimin e Fredi Belerit janë një nga anektodat më të mëdha publike në Shqipërine e viteve të fundit. Me metrin që autoritetet perdorën për arrestimin e Belerit në Himarë, mund të vësh në pranga pjesën derrmuese të kandidatëve për kryetarë në 61 bashkitë e vendit. Edhe tani, në këto orë.

Narrativa tjetër, që qeveria i servir tinëzisht shqiptarëve për të justifikuar arrestimin në opinionin publik, ajo e maskarait antishqiptar është edhe më qesharake se motivet e prokurorisë. Fredi Beleri nuk u bë antishqiptar të premten që shkoi. As filloi të bëjë thirrje antikombëtare apo të nxisë urrejtje nacionaliste muajin e fundit. Gjynahet e tij në raport me Shqipërine dhe shqiptarët jane të vjetra. Dhe qeveria Fredi Belerin e ka patur aty.

Në filmin Koncert në vitin 1936 ka një batute brilante, ku Nuri Beu i thotë prefektit; “Je ca pusht ti more Fotaq, por duket që pushtlleku nuk i prishka punë mbretërisë.” Edhe pushtllëku nacionalist i Belerit nuk i prish asnjë punë qeverisë. Aq më pak kryeministrit tone kozmopolitan, i cili nuk e ka problem fare të ulet, të pijë verë, të bëjë marrëveshje dhe madje të jetë mik i ngushtë me ata që shqiptaret i kanë vrarë dhe i kane dëbuar nga trojet e tyre.

Atehere pse duhet ne burg Fred Beleri?

Në rrafshin politik, Himara ështe një bashki me peshë totalisht të papërfillshme. Fitorja e saj nga qeveria apo nga opozita nuk do të ndryshonte asgjë në skakieren e madhe politike në rang kombëtar. Ndryshe nga bashkitë e mëdha si Tirana, Durresi apo Elbasani, të cilat lëvizin ekulibrat e pushtetit qendror, Himara nuk e kërcënon në asnjë fije pushtetin e Edi Ramës edhe sikur ajo të fitohet bindshëm nga opozita.

Në aspektin financiar vlen e njëjta analizë. Buxheti vjetor i Bashkisë së Himarës është rreth 13 milionë euro në vit, pak më shumë se 5 për qind e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Pra, Himara nuk vlen politikisht dhe nuk vlen as financiarisht.

Por pse qeveria u investua aq fort kete herë ne Himare si në asnjë bashki tjetër të Shqipërisë? Pse Edi Rama arriti deri aty sa qe te acaroje marredheniet me Greqine dhe te komplikoje rrugetimin e Shqiperisë për në BE për një bashki, e cila nuk i shton asgjë pushtetit të tij? Përkundrazi, e ekspozon atë përballë rreziqeve.

Llogjikisht ka vetëm një arsye që mund të përligjë këtë rrezik. Ajo lidhet me planet për zhvillimin e bregdetit. Në Himarë gjenden zonat bregdetare më të lakmuara të Shqipërisë. Aty janë duke u ndërtuar në seri resorte me vila, apartamente dhe hotele luksoze nga miqtë oligarkë, drejtorët dhe madje edhe ministrat e qeverisë, të cilët po dalin të gjithë pronarë tokash në Himarë. Por ka ende shumë të tjerë që duhet të dalin. Dhe Fredi Beleri mund të ishte pengesë për këto plane.

Fati bën lojëra të ccuditshme. Sot shpresa e vetme për të mbrojtur bregdetin shqiptar që mos të vidhet nga shqiptarët është një grek i deklaruar antishqiptar. Kjo është drama e Shqipërisë. Në shekuj, armiqtë më të mëdhenj të saj kanë qenë gjithmonë vet shqiptarët. Kjo është arsyeja se pse Fredi Beleri duhet në burg. Atje ka akoma toka për t’u vjedhur. Blerja e votave dhe pushtlleku nacionalist nuk i prishin hiç punë qeverisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *