14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Pse nuk e rrëzojnë pensionistët qeverinë?

Klodian Tomorri

Që nga dita kur Edi Rama uli të ndenjurat për herë të parë në karriken e Kryeministrit, në Shqipëri kanë ndërruar jetë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, rreth 200 mijë pensionistë. Një pjesë e këtyre patën edhe “fatin” t’i gëzoheshin premtimit të kryeministrit se do t’ua rriste pensionet si në vendet e Bashkimit Europian për punë muajsh, sa të dilte nafta në Shpirag. Por fatin e premtimit tjetër të mandatit të katërt nuk e pati asnjëri.

Në vend të kësaj, të gjithë i jetuan vitet e fundit të jetës me pensione qesharake, të paktën dy herë më të ulëta se sa bashkëmoshatarët e tyre në vendet e ngjashme të Shqipërisë. E megjithatë, as kjo nuk e tregon të gjithë panoramën e diskriminimit të moshës së tretë në Shqipëri. Ana tjetër qëndron tek shërbimet publike mizerabël, veçanërisht shëndetësia.

Ndonëse paguhen dy herë më pak se moshatarët e vendit të parafundit në Europë, pensionistët shqiptarë janë të detyruar të paguajnë nga xhepi mbi 50 për qind të shpenzimeve për kurim, sipas Bankës Botërore. Duke qenë se të moshuarit janë kontigjenti kryesor i shërbimit shëndetësor, goditja është e dyfishtë. Nga njëra anë të ardhura të ulëta, nga ana tjetër shpenzimet e larta.

Përtej këtyre është dhe problemi i aksesit në drejtësi. Një pjesë e madhe e pensionistëve në Shqipëri ndahen nga jeta me procese gjyqësore varur. Nga konfliktet me shtetin për pensionet deri tek marrja mbrapsht e pronave të tyre. Me proceset në gjykata që zgjasin mesatarisht 14 vjet, pensionistët janë kategoria të cilës i është mohuar edhe e drejta bazë e procesit gjyqësor.

Me pak fjalë, nëse ka një kategori që duhet të ishte masivisht kundër qeverisë, ata duhet të ishin pensionistët. Nw Greqi mjaftoi shumw mw pak qw pensionistwt tw shfarosnin njw herw e pwrgjithmonw Pasokun e fuqishwm. Por në realitetin shqiptar ndodh e kundërta.

Një sondazh i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim gjeti se personat me moshë mbi 66 vjeç janë ata që kanë besimin më të madh tek qeveria. Thuajse në të gjitha sondazhet, pensionistët janë kategoria që kanë opinionin më pozitiv tek qeveria qwndrore dhe institucionet publike nw varwsi tw saj. Dhe me shumë gjasa, ata janë dhe skaljoni më i madh i votave tw qeverisw.

Pyetja në këtë pikë është vetëm një. Cili është shkaku i këtij absurdi? Dhe shkaku është një paradoks të madh.

Pensionistët janë shtresa më e diskriminuar dhe më e nëpërkëmbur financiarisht nga qeveria. Por jo më e varfra. Përkundrazi, të dhënat zyrtare tregojnë se rreziku për të qenë i varfër në grupmoshën mbi 66 vjeç është dy herë më e ulët se sa tek mesatarja e popullsisë.

Shpjegimi i këtij paradoksi të madh qëndron tek emigrimi. Sipas INSTAT, nga viti 2013 deri më sot kanë emigruar mbi 500 mijë shqiptarë. Pra Edi Rama ka përzënë në kurbet më shumë se një të pestën e popullsisë. Nëse këtyre u shton dhe emigrantët e mëhershëm, sot Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka mesatarisht 1.5 persona për çdo familje në emigrim.

Shqiptarët janë shumë të lidhur me familjen. Armata e emigrantëve është burimi kryesor që financon mbijetësën e armatës së mbetur këtu të pensionistëve. Ky është faktori kryesor që zbut varfërinë e pensionistëve në Shqipëri dhe ndoshta edhe faktori kryesor se pse pensionistët nuk i kundërvihen qeverisë. Në fund, ky është Edi Rama. Arrin të fitojë edhe kur bën keq.

Megjithatë, kohët e fundit forcat politike në opozitë shpresojnë se situata ka ndryshuar. Sali Berisha po e vendos gjithmonë e më shumë theksin tek dyfishimi i pensioneve, ndërsa Arlind Qorri i quajti pensionistët si shpresa më e madhe e Shqipërisë për t’u çliruar nga keqqeverisja e Edi Ramës. Ndoshta gjërat kanë ndryshuar ashtu sikurse besojnë këta.

Por deri më tani pensionistët kanë bërë vetëm dy gjëra. Kanë votuar qeverinë në shumicë dhe kanë vdekur të nëpërkëmbur dhe të tallur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *