15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Publikohen për herë të parë fotot nga brenda bazës ajrore të Kuçovës

Pak ditë para ditës së inaugurimit, punimet në bazën ajrore të Kuçovës janë drejt përfundimit, për ta kthyer atë në një bazë taktike të NATO-s.

Nga kjo bazë, ku për herë të parë publikohen pamje të përgatitjeve dhe punimeve, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegon hapat që u ndoqën deri më tani.

Sipas Gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive.

“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, sqaron Komandanti i Forcës Ajrore.

Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë.

“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore që stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”, u shpreh ai.

Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë Qarkut të Beratit.

“Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e Qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.

Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars, sipas planit të parashikuar. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA./CNA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *