21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Pusi i thellë i Porto Romanos

Teksa mbi 50 shqiptarë gjendeshin të vdekur nën rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe qindra të tjerë të dergjeshin të plagosur, kryeministri mblodhi Komitetin e Emergjencave civile për të autorizuar AKUM-in që të prokuronte pa tender eko parkun e Porto Romanos tek një joint venture i ngritur nga kompania e inceneratorit.  

Klodian Tomorri

De Mare S.R.L ishte një kompani modeste me bazë në Moliterno të Potencës, e themeluar në vitin 2009. Me një staf total prej 10 punonjësish, në vitin 2019 kompania regjistronte një xhiro totale më pak se 2.6 milionë euro, ndërsa fitimi i saj luhatej rreth 300 mijë euro.

Në atë kohë, kompania e Fausto De Mares mbase nuk e kishte idene se fati i saj ishte i lidhur në të kundërtën me fatin e shqiptarëve. Ose më saktë nuk e dinte se një tragjedi kombëtare në Shqipëri do të shndërrohej në bekim për të. Por kështu ndodhi.

Në fund të vitit 2019, kompania modeste nga Potenza u piketua nga qeveria e Tiranës në bashkëpunim me rrethin e inceneratorëve si realizuesja e projektit për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano dhe ndërtimin aty të një Eko-Parku. Dhe bingo. Xhiro e De Mares kërceu nga 2.6 milionë euro që ishte në 2019-ën, në 10 milionë euro vetëm një vit më pas.  

Sa shumë rastësi

Të hënën e 14 tetorit 2019, në Potenza ishte një ditë e bukur me diell. Fausto de Mare së bashku me djalin e tij Carmine nxituan për në selinë e kompanisë. Dhe kishin një arsye të fortë për këtë. Në orën 9 të mëngjesit të dy bashkë zhvilluan mbledhjen e asamblesë së shoqërisë, ku vendosën të hapnin një degë të De Mares edhe në Shqipëri.

Në vendimin e hapjes së degës thuhej tekstualisht: “Në vitin 2018, De Mare Srl ka hapur një zyrë përfaqësimi në Shqipëri, e cila është konsoliduar. Por sot ka lindur nevoja për të përshtatur operimin e kompanisë me normativat fiskale të vendit për të shfrytëzuar mundësitë e reja për të vepruar direkt në në sektorin e mbetjeve, duke vlerësuar hapjen e një filiali lokal.”    

Dhe mundësia në Tiranë për të cilën shkruanin në vendim De Maret u krijua vetëm një ditë më vonë.  Në datën 15 tetor Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve shpalli një tender të hapur me vlerë 1.68 miliardë lekë ose mbi 16 milionë euro për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano.

De Mare e regjistroi degën e saj në Shqipëri me emrin De Mare Albania në 18 tetor, tre ditë pas hapjes së tenderit, i cili fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej në mes të nëntorit. Por me sa duket De Mare dhe ata që e sollën këtu nuk i bënë dot gati letrat. Ose nuk donin konkurrencë fare.  

Për disa ditë, fati i tenderit 16 milionë euro mbeti në errësirë. Teksa normalisht duhej të shpallej fituesi, në Shqipëri ndodhi tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 2019-ës. Kjo ishte goditja e fatit për De Maren dhe bandën e inceneratorit që e solli atë këtu.

Korrupsion i nivelit të lartë qeveritar

Në datën 7 dhjetor në Buletinin e Prokurimeve Publike u lajmërua papritmas se tenderi për eko parkun e Porto Romanos ishte anulluar. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve njoftonte se ky vendim ishte marrë në bazë të shkresës së Ministrisë së Financave me “Nr. 21920 Prot, datë 02.12.2019, Lenda – Mbi prioritetin e pagesave në kushtet e gjendjes së shpallur te fatkeqësisë.”

Ky ishte vetëm hapi i parë. Dy javë më vonë, në datën 16 dhjetor Edi Rama mbledh Komitetin e Emergjencave Civile. Mbledhja kishte vetëm 2 pika në rendin e ditës. Pika e parë ishte ajo që urdhëronte të gjitha qarqet e goditura nga tërmeti që t’i depozitonin mbetjet inerte të krijuara nga tërmeti në venddepozitimin e Porto Romanos.

Ndërsa pika e dytë urdhëronte Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve që të merrte masat për inkapsulimin e venddepozitimit të Porto Romanos dhe rijetësimin e saj me procedurë të përshpejtuar në kushtet e emergjencës.  Me pak fjalë vendimi i Komitetit të Emergjencave Civile me firmën e Edi Ramës urdhëroi AKUM-in të prokurojë pa garë Eko-Parkun e Porto Romanos.

Vetëm një ditë më vonë, AKUM filloi negociatat e drejtëpërdrejta me konsorciumin mes De Mare Albania dhe një kompanie shqiptare të quajtur Victoria Invest e biznesmenit Fatmir Kuçi. Kontrata u lidh në 27 dhjetor. Vlera e saj ishte 1 miliardë e 626 milionë lekë ose sa 97 për qind e fondit limit.

Një pus i thellë korrupsioni  

Detajet e para të aferës së Porto Romanos do të fillonin të dilnin në publik vite më vonë. Jorida Tabaku publikoi fillimisht marrëveshjen mes kompanisë së inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy dhe studios arkitekturore Casanova Hernandez për të projektuar Eko Parkun e Porto Romanos.

Shoqëria IEBV SPV shpk autorizonte nëpërmjet kontratës studion Casanova Hernandez Architects të zhvillojë projektin e plotë të një Eko-Park në Durrës mbi një landfill aktual, nga faza konceptuale deri në fazën e zbatimit. Ekipi i IEBV SPV shpk do të jetë përgjegjës për zhvillimin e projektit të të gjitha aspekteve teknike që lidhen me landfillin ekzistues, ndërsa Casanova Hernandez Architects do të jetë përgjegjëse për hartimin e të gjitha aspekteve që lidhen me projektin e peizazhit në krye të tij.

Kjo kontratë mbante datën 1 prill 2019, mbi 5 muaj më parë se Edi Rama të shpallte publikisht mbylljen e venddepozitimit të Porto Romanos. Pra kompania e inceneratorëve, jo vetëm që  kishte informacion të brendshëm se landfilli do të mbyllej dhe aty do të ndërtohej Eko-Park, por kishte marrë garanci se tenderin e majmë do ta merrte ajo.

Informacioni i brendshëm është një krim i rëndë qeveritar. Megjithatë këtu kishte më shumë se kaq. Pasi fituan tenderin 16 milionë euro, De Mare dhe Victoria Invest nuk bënë asnjë punë vet, por e nënkontraktuan atë tek një kompani e quajtur ARTCON për 6 milionë euro. Kjo ishte kompania e Denist Ymerit, shoferit të Mërtirit dhe Zotos.   

Me pak fjalë, pusi është i thellë. Kompania inceneratorit kontrakton studion partnere të vajzës së kryeministrit dhe i paguan asaj 225 mijë euro për të bërë projektin e eko parkut në Porto Romano. Kjo kontratë lidhet 5 muaj para se kryeministri të shpallë publikisht vendimin për ndërtimin e ekoparkut.

Më pas, tenderi i jepet me negocim të drejtëpërdrejtë një joint venture-i mes një kompanie italiane të krijuar vetëm një ditë para shpalljes së tenderit dhe një kompanie shqiptare e cila kishte akses të madh në Partinë Demokratike, gjatë kohës që kjo e fundit drejtohej nga Lulzim Basha.

Në fund, të dyja këto ja nënkontraktojnë punimet shoferit të Zotos për 6 milionë euro. Ndërkohë që 13 milionë euro nuk dihet se ku avulluan. Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa vendimet me firmën e kryeministrit.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *