30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Qeveria 2.3 mln euro për sigurinë e Kryeministrisë

Qeveria shqiptare do të shpenzojë 250.5 milionë lekë ose rreth 2.3 milionë euro për sistemet e sigurisë në godinën e Kryeministrisë. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur thirrjen për tenderin sekret, i cili do të zhvillohet në qershor të këtij viti.

”Kjo procedurë prokurimi e klasifikuar si sekret shtetëror në nivelin konfidencial do të bëhet në mbështetje të Ligjit Nr.36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, Vendimit Nr.1170 datë 24.12.2020 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë,” thuhet në njoftimin e Agjencisë Publike të Prokurimeve.

Sipas dokumentave, procedura e prokurimit do të jetë me dy faza. Në fazën e parë, kompanitë e interesuara do të dorëzojnë dokumentat e kërkuara. AKSHI do të vlerësojë dokumentacionin dhe më pas do të përzgjedhë kompanitë që do të kenë mundësi të bëjnë ofertë ekonomike.

Sipas dokumentave të tenderit, kompania fituese brenda 6 muajve do të instalojë sistemet e reja të sigurisë në ndërtesën e qeverisë dhe pastaj do të ketë detyrimin e mirëmbajtjes së tyre për 2 vjet të tjera. Kjo është hera e disatë që qeveria shton masat e sigurisë në ndërtesën e saj duke forcuar sistemet e sigurisë, ndërkohë që kostoja e radhës do të jetë rreth 2.3 milionë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *