Procedura e aplikimit për pajisjen me leje zhvillimi, ndërtimi dhe certifikatë përdorimi për objektet e konfiskuara nga shteti si ndërtime pa leje është miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave.
Procesi i konfiskimit të pallateve me shtesa të paligjshme ka nisur që vitin e shkuar, me përafërsisht 24 objekte të konfiskuara në total, ku vetëm nga nëntë objektet e para u arkëtuan 10.5 milionë euro në arkën e shtetit. Për pesë objekte u arkëtuan 3.5 milionë euro dhe për katër të tjera 7 milionë euro nga procesi i ndëshkimit të ndërtuesve që kanë kapërcyer kufijtë e lejeve të ndërtimit dhe mungesa e interesit nga pronarët për t’i parablerë këto metra katrorë.
Pas vendimit të konfiskimit të një ndërtimi pa leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit ngarkohet me përgjegjësinë kryesore për lëshimin e lejeve të zhvillimit, pas kërkesës nga institucioni publik ose përfitues të tjerë që kanë nën administrim objektin e konfiskuar.
Konkretisht, aplikimi për leje zhvillimi dhe ndërtimi bëhet pranë Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore ose pranë Këshillit Kombëtar të Territorit përmes portalit e-Albania, në seksionin e e-Lejeve. Në sistemin e elektronik e-Leje, për aplikime pranë Njësisë së Vetëqeverisjes Vendore, kërkohet plotësimi i formularit dhe ngarkimi i plotë i dokumentacionit të nevojshëm.
Brenda dhjetë ditëve pune nga shqyrtimi teknik, kryetari i bashkisë njofton kërkuesin nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, për miratimin dhe lëshimin e dokumentit të lejes së ndërtimit ose vendimin për refuzimin e lejes së ndërtimit. Në Këshillin Kombëtar të Territorit, kërkuesit mund të aplikojnë direkt për ndryshimin e lejes së ndërtimit, pa pasur nevojë për pajisjen me leje zhvillimi.
Pas plotësimit të formularit dhe depozitimit të plotë të dokumentacionit të nevojshëm, Agjencia e Zhvillimit të Territorit shqyrton kërkesat për leje ndërtimi, ndërsa Këshilli Kombëtar i Territorit brenda 20 ditëve pune nga paraqitja e raportit të vlerësimit teknik vendos miratimin ose refuzimin e lejes së ndërtimit.
Shitje falas
Ndërsa publikisht kryeministri Edi Rama u zotua se objektet e sekuestruara do të shiteshin me cmime tregu, rezulton se ato janë vlerësuar mesatarisht me vetëm 223 euro për metër katror. Thuajse të gjitha objektet janë blerë sërish nga ndërtuesit që i kishin ndërtuar ato pa leje. Ministria e Financave ia lë përgjegjësinë për çmimet e ulëta ekspertëve vlerësues, duke larë duart nga përgjegjësia me të cilën e ngarkonte Vendimi i Këshillit të Ministrave 970-2020.
“Raportet e vlerësimit janë hartuar nga ekspertë të licencuar dhe vlerësimi i objekteve të konfiskuara është bërë duke përdorur metodat e vlerësimit të objektit, referuar strukturës dhe gjendjes së tij faktike në zbatim të legjislacionit në fuqi,” përgjigjet ministria.