28 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria ashpërson gjobat për bizneset dhe qytetarët që ndotin mjedisin

Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili ashpërson ndjeshëm gjobat për subjektet që ndotin mjedisin. Sipas draftit, gjobat për shkeljet mjedisore, të cilat nuk përbëjnë vepër penale, rriten të gjitha me 30 për qind krahasuar me ligjin ekzistues. Paralelisht, drafti i ri i shndërron gjobat për ndotjen e mjedisit në tituj administrativ, të cilat ekzekutohen menjëherë nga përmbarimi sapo përfundon ankimimi administrativ.
Për shkeljen e mosdhënies së informacionit për shkarkimin dhe transferimin e ndotësve nga subjektet, gjobat rriten nga 300 deri në 500 mijë lekë që janë aktualisht në 390 deri në 650 mijë lekë.
Në të njëjtën masë rriten edhe gjobat për mospërmbushjen e kërkesave për prodhimin, importin dhe tregtimin e substancave ozonholluese, ato për shkarkimin e erërave të pakëndshme e kështu me radhë.
Sipas qeverisë, rritja e gjobave është e domosdoshme për të kufizuar ndotjen e mjedisit nga subjektet që kryejnë veprimtari tregtare apo prodhuese.
Gjobat e reja për ndotjen
Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
a) mosdhënia e informacionit për shkarkimin dhe transferimin e ndotësve nga operatori, sipas përcaktimit të nenit 32 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit; 
b) mospërmbushja e kërkesave për prodhimin, importin, eksportin, hedhjen në treg dhe përdorimin e substancave ozonholluese, si dhe importin, eksportin, hedhjen në treg dhe përdorimin e produkteve dhe të pajisjeve që përmbajnë këto substanca, sipas përcaktimit të nenit 35 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit; 
c) mospërmbushja e kërkesave për lëshimin e qëllimshëm në mjedis të Organizmave të Modifikuar Gjenetikisht, për qëllime të tjera, përveç hedhjes së tyre në treg si produkte që synojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, sipas përcaktimit të nenit 36 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit; 
ç) mospërmbushja e kërkesave për ndalimin e prodhimit, të importit, hedhjes në treg dhe të përdorimit, për reduktimin e shkarkimeve, minimizimin dhe eliminimin e ndotësve organikë të qëndrueshëm, sipas përcaktimit të nenit 37 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë deri në 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit; 
d) mospërmbushja e kërkesave për shkarkimin e erërave të pakëndshme nga veprimtaritë e reja dhe ekzistuese, sipas përcaktimit të nenit 39 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit; 
dh) mosplotësimi nga personi i autorizuar, që kryen monitorimin e mjedisit, sa më shumë të jetë e mundur, i kërkesave për minimizimin e ndërhyrjes mbi përdorimin e tokës dhe mosplotësimi, pas kryerjes së veprimtarisë, sa më shumë të jetë e mundur, i kërkesave për rikthimin e tokës në gjendjen e saj të mëparshme, sipas përcaktimit të nenit 43 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë deri në 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit; 
e) mosinformimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për mundësinë e një kërcënimi të drejtpërdrejtë për një dëm të tillë nga operatori, sipas përcaktimit të pikës 6 të nenit 50 të këtij ligji, si dhe mosmarrja e masave të nevojshme për të parandaluar shkaktimin e dëmit në mjedis, pavarësisht nga detyrimi i tij për marrjen e masave parandaluese të dëmit në mjedis, sipas përcaktimit të pikës 6 të nenit 50 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë; 
ë) mosinformimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga operatori se me gjithë masat e marra në përputhje me përcaktimin e bërë në pikën 6 të nenit 50 të këtij ligji, kërcënimi i drejtpërdrejtë i dëmit në mjedis nuk është shmangur, sipas përcaktimit të bërë në pikën 7 të nenit 50 të këtij ligji, pavarësisht nga detyrimi i tij për të siguruar paraprakisht fondet për kompensimin e një dëmi të mundshëm ndaj mjedisit apo për eliminimin e një kërcënimi të pashmangshëm për dëme në mjedis, sipas përcaktimit të nenit 53 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë; 
f) mospërmbushja e kërkesave të pikës 8 të nenit 50 të këtij ligji, nga operatori, pavarësisht nga detyrimi i tij për të rikthyer mjedisin në gjendjen e mëparshme, rehabilitimin e mjedisit, kompensimin e dëmit të shkaktuar apo për të marrë masa të tjera të përcaktuara në këtë ligj, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë; 
g) përdorimi i ekoetiketës nga zotëruesi i saj edhe pas heqjes së saj nga ministria, sipas përcaktimit të pikës 4 të nenit 55 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë; 
gj) mosplotësimi nga operatori i kërkesave të përcaktuara në njoftimin e përputhshmërisë, brenda afatit të përcaktuar në të, sipas përcaktimit të nenit 65 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në korrigjimin e mospërputhjes; 
h) mosplotësimi nga pronari i sendit apo operatori i veprimtarisë i kërkesave të përcaktuara në njoftimin e pezullimit, brenda afatit të përcaktuar në të, sipas përcaktimit të nenit 66 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë deri në 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të gjobës për çdo ditë vonesë, deri në plotësimin e detyrimit.”
2. “Gjoba në zbatim të këtij neni, përbën titull ekzekutiv me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e saj. Gjoba paguhet brenda 10 ditëve nga data kur është njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë, që përbën titull ekzekutiv, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative”. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *