4 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria heq akcizën e gazit të lëngshëm për serat dhe industrinë

Qeveria ka hequr akcizën për gazin e lëngshëm që përdoret nga bizneset e serave me ngrohje apo ato të industrisë. Në mbledhjen e radhës Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, i cili heq taksën 6 lekë për litër mbi gazin që përdoret në bujqësi, agroindustri dhe bizneset e industrisë.

Heqja e akcizës për gazin e lëngshëm që përdoret në proceset prodhuese është një kërkesë e hershme e biznesit. Qeveria e vendosi këtë produkt nën taksim për herë të parë në vitin 2017, fillimisht me nivel akcize 3 lekë për litër dhe në 1 korrik të vitit të kaluar e rriti sërish taksën duke e dyfishuar atë në 6 lekë për litër. Por bizneset kundërshtuan menjëherë këtë masë duke deklaruar se ajo do të rriste koston e prodhimit vendas në shumë industri, veçanërisht për serat por edhe prodhimin e birrës.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Kjo është një taksë vrastare për prodhimin vendas” deklaruan shoqatat e biznesit në Kuvend, kur deputetët votuan dyfishimin e akcizës, vjet në korrik.

Megjithatë 1 vit pas dyfishimit të taksës, qeveria duket se është bindur nga bizneset për ta hequr akcizën e gazit të lëngshëm, që përdoret në serat me ngrohje, prodhimin e pijeve alkoolike, prodhimin e bukës si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit.

Veç heqjes së akcizës për gazin, qeveria ka vendosur të përjashtojë nga tatimi mbi vlerën e shtuar edhe për një sërë makinerish dhe pajisjesh që përdoren për ndërtimin e centraleve fotovoltaike. Kjo masë vjen për të nxitur më tej investimet në sektorin e prodhimit të energjisë nga era, të cilat vitet e fundit po rriten me shpejtësi, veçanërisht pas krizës energjetike që shkaktoi lufta në Ukrainë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *