Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për White Roads Hotel shpk”. Vendimi i publikuar në fazen zyrtare të Këshillit të Ministrave saktëson se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi është ministria përgjegjëse për turizmin.
White Roads Hotel është një investim 21 milionë euro, i cili parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi në Gjilekë të Bashkisë Himarë. Ai zotërohet nga kompania Gjikuria, e cila ka nënshkruar kontratë me brand-in ndërkombëtar HYATT INTERNATIONAL LLC.
Fillimisht ky projekt u pajis me statusin investitor strategjik në prill të vitit të kaluar, ku qeveria i vuri në dispozicion 9 mijë metër katrorë tokë shtetërore me qira 1 euro. Por në gusht të këtij viti, vendimi për statusin investitor strategjik u ndryshua, pasi qeveria i dha kompanisë edhe 13 mijë metra katrorë tokë shtetërore shtesë duke e çuar në total mbi 22 mijë metra katrorë.
Hiqen taksat
Por çfarë përfiton në fakt projekti nga marrja e statusit special? Në vitin 2018 qeveria miratoi një paketë ligjore që synonte lehtësime taksash për kompanitë që do të angazhohenin në sjelljen e markave ndërkombëtare në fushën e hotelerisë.
Sipas ndryshimeve ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje nuk paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special.
Po kështu hotelet me status special përfitojnë shkallë të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6 për qind për të gjitha shërbimet që ofrojnë. Kjo do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget dhe çdo aktivitet tjetër i këtyre hoteleve do të taksohet me vetëm 6 për qind TVSH nga 20 për qind që është norma zyrtare.
Ndërkohë që për hotelet e tjera, shkalla 6 për qind e TVSH-së aplikohet vetëm për shërbimin e fjetjes, por jo për restorantet dhe shërbimet e tjera.
Përtej kësaj, hotelet që marrin status special kanë edhe një tjetër lehtësi të madhe. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës është zero.
Më parë, statusin special e ka përfituar dhe subjekti Green Coast e biznesmenit Samir Mane për projektin e hotelit në Palasë. Grupi BALFIN po zhvillon në Jug të vendit projektin për ndërtimin e të parit “MGallery hotel”, , pjesë e portofolit të grupit ndërkombëtar “Accor”. Punimet pritet të përfundojnë në vitin 2024 dhe hoteli do të ketë 118 dhoma dhe suita luksoze.