20 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria: Kemi dështuar me ndihmën ekonomike, efektet në uljen e varfërisë janë thuajse zero

Qeveria ka pranuar publikisht se skema e ndihmës ekonomike për familjet e varfra është një dështim total, që ka efekte të papërfillshme në uljen e varfërisë. Pohimi është bërë në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2024-2030 të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Vetëm 3% e popullsisë u nxorr nga rreziku i varfërisë nëpërmjet transfertave sociale (njëra prej të cilave është ndihma ekonomike). 95% e transfertave të programit të mbrojtjes sociale janë në cash, çka pohon që shërbimet sociale në nivel vendor aktualisht janë një ofertë e varfër,” pranohet në draf-strategjinë kombëtare.

Shqipëria llogarit si kufi financiar të rrezikut për të qenë i varfër nivelin e të ardhurave 15.9 mijë lekë në muaj për një familje me një person. Ky kufi rritet me shtimin e numrit të anëtarëve si dhe në rastin kur personi është i papunë. Me pagesën prej rreth 8 mijë lekë në muaj që jep aktualisht qeveria shqiptare për familjet në ndihmë ekonomike, ky përfitim përbën një të ardhur të papërfillshme për të larguar rrezikun e varfërisë.

“Vlerësimet tregojnë që në vitin 2020, pagesa e ndihmës ekonomike për një familje me dy të rritur dhe dy fëmijë në ngarkim përfaqësonte 32.8 përqind të pragut të rrezikut të rënies në varfëri të një familjeje me të njëjtën përbërje pa konsideruar përfitimet shtesë që familja në ndihmë ekonomike merr, por që nuk figurojnë ende të monetarizuara,” thuhet në draft-strategjinë kombëtare.

Për këtë arsye skema kombëtare e ndihmës ekonomike është atrofizuar duke dalë totalisht nga misioni i saj për zbutjen e varfërisë.

“Buxheti total që shkon për ndihmën ekonomike është 0.3% e PBB, ndërsa rezulton që ndihma ekonomike të ketë një ndikim të kufizuar në uljen e varfërisë. Është rreth 9% e popullsisë përfituese e programit të ndihmës ekonmike (64,000 familje në vitin 2022 me 226.530 individë anëtarë) ndërsa janë edhe 4,348 familje që kanë përfituar nga fondi 6% në dispozicion të pushtetit vendor,” thuhet në Strategji.

Mijëra të varfër jashtë skemës
Sipas INSTAT , programi i Ndihmës Ekonomike mbulon 37.0 përqind të familjeve të decilit më të ulët të të ardhurave dhe 25.8 përqind të familjeve me kuintilin më të ulët të të ardhurave. Aktualisht sipas qeverisë, 45.2 përqind e shpenzimeve për pagesën e Ndihmës Ekonomike shkojnë për decilin më të ulët dhe 61.5 përqind për kuintilin më të ulët.

“Ende një përqindje e konsiderueshme e familjeve me të ardhura të ulëta (vlerësuar në 63 përqind të decilit më të ulët dhe në 74 përqind të kuintilit më të ulët) rezultonin jashtë mbulimit të programit të Ndihmës Ekonomike në vitin 2021. Këto shifra provojnë që programi i Ndihmës Ekonomike ka një ndikim të kufizuar në reduktimin e rrezikut nga varfëria,” pohot në strategji.

Sipas dokumentit aktualisht programi social me efektin më të madh në zbutjen e varfërisë është skema e pensioneve.

“Është provuar që përfitimet sociale si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshira në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Kështu, nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021 është vlerësuar 39,0 % kundrejt 25,2 % në rastin kur përfshihen përfitimet sociale nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare,” relatohet në draft.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *