30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria mashtroi/Letra e plotë e KE: Është pezulluar gjithë IPARD II dhe është ngrirë IPARD III

Klodian Tomorri

Menjëherë pasi Oligarkia.al publikoi lajmin se Bashkimi Europian ka pezulluar pagesat për grantet e bujqësisë në Shqipëri për shkak të korrupsionit, qeveria nxitoi ta minimizonte ngjarjen e rëndë duke tentuar madje ta përgënjeshtronte atë. E vënë nën presionin e opozitës në sallën e Parlamentit, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca deklaroi se programi nuk është ndaluar.

“Lajmi i vetëm ka qenë njoftimi për pezullimin e pagesës së radhës si masë preventive e përkohshme, …, dhe në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion. Sqaroj se programi nuk është ndaluar sikurse thoni, ai vijon,” deklaroi Krifca.  

Në mediat afër qeveerisë u shpërnda me shpejtësi një lajm se BE kishte pezulluar vetëm pagesën e këstit të radhës prej 450 mijë eurosh të IPARD II dhe agjë tjetër, ndërkohë që përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Bujqësisë e cilësoi pezullimin e pagesës si një proces krejtësisht administrativ.

Oligarkia.al e kishte të konfirmuar letrën e Komisionit nga tre burime të pavarura. Përpara publikimit të lajmit ne i kërkuam ministres së Bujqësisë një koment, por ministrja nuk u përgjigjigj.  

Sot Oligarkia.al po e publikon të plotë letrën e Komisionit Europian, për të rrëzuar pretendimet e qeverisë së është ndëprerë vetëm një pagesë e radhës prej 450 mijë euro në proccedurë rutinë. Në fakt, Bashkimi Europian ka pezulluar këstin e radhës dhe të gjitha këstet e mëvonshme të IPARD II si dhe ka ngrirë procedurat për programin IPARD III.

Letra

Që në fillim të letrës, Komisioni Europian informon qeverinë shqiptare se informacioni paraprak i OLAF tregon mangësi serioze në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II në Shqipëri, të cilat nuk kanë lejuar parandalimin, zbulimin dhe korrigjimin e mashtrimeve dhe parregullsive serioze.

“Olaf ka evidentuar parregullsi dhe mangësi serioze në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri” thuhet në letren që mban firmën e drejtorit të DG AGRI, Ëolfgang BURTSCHER.

Më poshtë letra vë në dijeni autoritetet shqiptare se cilat janë këto parregullsi.

“Disa projekte të financuara në kuadër të programit IPARD II u gjetën me parregullsi si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false, etj” thuhet në letër.

Sipas Komisionit. AZHBR ka dështuar të ushtrojë kontrollin e duhur për të identifikuar këto parregullsi.

“Për këto arsye dhe si masë parandaluese për të mbrojtur buxhetin e Bashkimit Europian, ju informojmë se Komisioni po ndërpret afatin e pagesës për deklarimin e shpenzimeve për tremujorin e parë të vitit 2023, në shumën 457 mijë euro,” informon letra.

Por kjo është vetëm pasoja më e vogël në letrën tronditës. Një tjetër pasojë shumë më e rëndë vjen në paragrafin pasardhës të letrës.

“Përveç kësaj, afati i pagesës në lidhje me deklaratat e mëvonshme të shpenzimeve të programit IPARD II do të ndërpritet për të njëjtat arsye” shkruan Komisioni.

Në rrezik IPARD III

Komisioni Europian thotë se ndërprerja e pagesave do të përfundojë menjeherë sapo Komisioni të vendosë, në bazë të elementeve që do të sigurohen nga autoritetet shqiptare, se janë marrë masat e nevojshme për të korrigjuar situatën.

Por në të njëjtën kohë Komisioni i bën një parlajmërim të fortë qeverisë.

“Ju lutemi mbani parasysh se në rast se plotësohen kushtet e nenit 40 të Marrëveshjes Kornizë, Komisioni Evropian gjithashtu mund të vendosë në një fazë të mëvonshme të pezullojë pagesat për Programin IPARD II,” thuhet në letër.

Drejtori i DG AGRI informon se është duke pritur informacione shtesë nga OLAF dhe sapo ato të arrijnë do të njoftojë qeverinë shqiptare.

“DG AGRI do të marrë parasysh informacionin e mësipërm në procedurën në vazhdim për besimin e detyrave të zbatimit të buxhetit për programin IPARD III në Shqipëri. Në kushtet aktuale, kjo procedurë do të pezullohet për të gjitha masat në kuadër të programit IPARD III,” përfundon letra.   

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *