15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria miraton ndërtimin e dy centraleve të tjera diellore me fuqi 70 mega

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit ndërtimin e dy centraleve të tjera diellore në zonën e Fierit. I pari është një projekt që do të ndërtohet nga kompania Albania Power Core SHPK dhe të ketë një fuqi të instaluar prej 40.5 megavat në Sheq të Fierit. Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit të qeverisë.

Albania Power Core është një kompani e zotëruar nga 4 aksionerë. Ata janë Helidon Xhaferi, Fatbardh Doko, Dritan Shehu dhe Astrit Kamberi, të cilët zotërojnë nga 25 për qind të aksioneve.

Centrali i dytë diellor do të ketë një fuqi 30 mega dhe do të ndërtohet nga kompania Alb Sun Energy në Povelccë. Sipas vendimit të qeverisë ky central do të ketë një afat kohor ndërtimi prej 60 muajsh.

Të dy veprat energjetike nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë, që do të thotë se do të prodhojnë energji dhe do ta shesin atë në tregun e lirë. Ndërkohë që sipas vendimit të qeverisë, kompanitë janë të detyruara që 2 për qind të prodhmit vjetor t’ia japin falas shtetit në sasi energjie ose në vlerë monetare.

Alb Sun Energy është themeluar në vitin 2018 dhe zotërohet tërësisht nga Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *