15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria ndërron mendje: Ndërtuesit mund t’a japin 3% e strehimit social ku të duan

Sipas ligjit “Për Strehimin Social”, ndërtuesit janë të detyruar të japin 3% të sipërfaqes ndërtimore mbi 2000 m2 për fondin e strehimit social. Sipërfaqje kjo e dhënë në vendin ku po ndërtohet.

Mirëpo, me një vendim të 29 majit 2024, nr. 325 Këshilli i Ministrave vendosi që këtë sipërfaqe që duhet ta japin për strehim social, ndërtuesit mund ta japin edhe në vendndodhje të tjera, jo domosdoshmërisht në vendin ku po ndërtohet.

“Sipërfaqen takuese, në rast pamundësie për ta dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, subjekti privat e jep atë menjëherë në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi, në përputhje me normat e projektimit të banesave, përfunduar dhe certifikuar me dokumentin e pronësisë, duke e ekuivalentuar në vlerë monetare, sipas çmimit referues të pasurisë paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, për të cilin është dhënë leja ndërtimore”-thuhet në vendim.

Sipas vendimit, kontrata përfundimtare që nënshkruhet mes njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat për kalimin e sipërfaqes ndërtimore, në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme. Dhe nëse kalimi i sipërfaqes është dhënë në vlerë leku, fondi kalon nga investitori në llogarinë e posaçme të njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke shkuar kësisoj në favor të fondit publik të banesave sociale.

Në tetor të vitit 2023, Kryeministri Rama ju tha ndërtuesve se “duhet ta japin taksën 3 % të ndërtimit për strehimin social, aty ku ndërtojnë, jo në një vend tjetër”.

“Unë thashë se do thonit këtë ju, se pse s’na e merrni 3 % tek Blloku, por na e kërkoni tek Astiri? Kush shkon deri tek Astiri të ndërtojë? Ju thoni, fare. Jo, kjo nuk diskutohet”,- u shpreh Kryeministri Rama asokohe.

Mirëpo, përmes këtij vendimi të fundit duket se Kryeministri Rama ka ndërruar mendje, duke lejuar që për çdo ndërtim mbi 2000 m2 në bllok, të jepet 3% për fondin social edhe në Astir.

Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.

Zbatimi i këtij ligji duket se ka rezultuar i pasuksesshëm në Bashkinë e Tiranës, ku po realizohet pjesa dërrmuese e ndërtimeve të reja.

Gjatë periudhës 2020-2021 në Tiranë u shtuan rreth 3.7 milion m2 ndërtime të reja. Megjithatë Bashkia e Tiranës ka marrë në dorëzim vetëm dy apartamente në rrugën e Kavajës, me një hapësirë përkatësisht 160 m2 dhe 67.38 m2, të cilat janë ende në proces ndërtimi.

Pavarësisht kundërshtimit nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës vendosi ta modifikojë mënyrën e vjeljes së sipërfaqes me anë të një Vendimi të Këshillit Bashkiak, që i jep të drejtë ndërtuesve ta konvertojnë sipërfaqen e ndërtimit në vlerë monetare.

Në maj të vitit 2022, Ministria e Financave çeli për konsultim një sërë ndryshimesh në ligjin e vitit 2018, mes të cilave edhe nenin 19 i cili ndryshon sasinë e metrave që ndërtuesit duhet t’i japin fondit të banesave sociale. Kjo pas ankesave nga Shoqata e Ndërtuese.

Nëse më parë ndërtuesit ishin të detyruar t’i jepnin fondit të strehimit 3% të sipërfaqes për çdo objekt të ndërtuar mbi 2000m2, me ndryshimet e ligjit ata duhet të heqin dorë vetëm nga 3% e sipërfaqes ndërtimore mbi 2000m2.

Shembull: Nëse më parë një objekt prej 2,500 m2 duhet t’i jepte fondit të strehimit 75 m2 ndërtim, ndryshimi i ligjit e detyron të japë sipërfaqe vetëm për 500 metrat mbi 2000m2, që përkthehet në vetëm 15 metra katrorë.

Citizens Channel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *