21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria ndryshon buxhetin/ Rritet të ardhurat, kursehen para nga energjia

Qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit të këtij viti përmes një Akti Normativ, i cili rrit me 7.5 miliardë lekë ose 71 milionë euro planin e të ardhurave dhe me po të njëjtën masën shpenzimet e parashikuara publike.

Si rezultat, totali i të ardhurave që qeveria parashikon të mbledhë për vitin 2023 në buxhet shkon në 650 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike arrijnë në 705.5 miliardë lekë. Deficiti i programuar buxhetor nuk ndryshon, duke mbetur në nivelin 55.5 miliardë lekë, aq sa ishte parashikuar në fillim të vitit.

Por veç rritjes së të ardhurave, Akti Normatit ndryshon edhe shpenzimet sipas programeve duke ja hequr projekteve me realizim të ulët, për t’I çuar tek ato që kanë një ecuri më të mirë.

“Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike,” tha ministri i Financave Ervin Mete pas mbledhjes së qeverisë.

Qeveria kishte parashikuar 20 miliardë lekë ose rreth 190 milionë euro këtë vit si transfertë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptarë për të përballuar furnizimin e vendit me energji elektrike. Por këto para nuk u përdorën për shkak të kushteve të mira atmosferike dhe rënies së çmimeve të energjisë në bursë. Tani një pjesë e tyre shkojnë për Rindërtimin.

“Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi,” tha kreu i Financave.

Po kështu përmes Aktit Normativ, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit, ndërkohë që parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *