20 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria rihap tenderin 2 mln euro për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë

Hekurudha Shqiptare shpalli tenderin 2 milionë euro për studimin e fizibilitetit dhe konceptimin e projekt-ideve për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 28 gusht.

Për herë të parë tenderi për studimin e fizibilitetit u shpall në tetor të vitit të kaluar. Procedura arriti të kalonte fazën e parë të vlerësimit të ofertave në dhjetor 2022, por ajo u ankimua nga një prej operatorëve pjesmarrës. Bëhej fjalë për ankimimin e bashkimit të shoqërive “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK, që është një nga shtatë kompanitë që morën pjesë në procedurën me fond limit 200 milionë lekë.

Komisioni i Prokurimit Publik e gjeti të drejtë ankesën e bashkimit të operatorëve të skualifikuar dhe urdhëroi Hekurudhën që të rivlerësonte fituesin e tenderit. Pak ditë më parë, Hekurudha Shqiptare vendosi ta anullojë totalisht procedurën e zhvilluar në tetor vjet dhe ta rihapë sërish tenderin me të njëjtat kushte.

Linja hekurudhore

Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë është një angazhim i dy vendeve i theksuar në mbledhjet e përbashkëta të qeverive. Ajo vlerësohet me një kosto të përafërt 700 milionë euro ndërkohë që studimi i fizibilitetit që do të zërë vend pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues do të përcaktojë alternativën më të mirë të gjurmës së hekurudhës.

Ideja për ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Shqipërinë me Kosovën ka nisur shumë vite më parë dhe për këtë në faza të ndryshme ka pasur propozime të ndryshme por deri më tani asnjëra prej tyre nuk është realizuar.

Ndërtimi i kësaj linje hekurudhore është e një rëndësie të trefishtë. E para është se përmes kësaj linje hekurudhore, shkëmbimi i transportit të mallrave ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit më gjerë do të rritet ndjeshëm për shkak të kostove më të ulëta dhe kapaciteteve më të mëdha.

Rëndësia e dytt lidhet me zhvillimin e transportit hekurudhor për pasagjerët, i cili mund të jetë shumë tërheqës dhe i favorshëm për të dy vendet dhe më gjerë; ndërsa rëndësia e tretë qëndron në faktin se kjo linjë hekurudhore vlerësohet se një projekt me përfitime të mëdha për ekonominë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *