14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Qeveria shpall tenderin për 1 Giga centrale diellore

Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë disa centrale diellore me kapacitet total të instaluar prej 1 giga vat, çka e rrit kapacitetin e instaluar të prodhimit të energjisë në vend me 40 për qind. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur njoftimin zyrtar duke u bërë thirrje bizneseve të interesuara që të marrin pjesë në tre procedurat konkurruese që të zhvillohen për ndërtimin e këtyre veprave.

Sipas njoftimit, procedura e parë konkurruese për 300 megavat do të lancohet në qershor të këtij viti, ndërsa tenderi do të zhvillohet në muajin tetor. Gara do të jetë e ngjashme me atë të dy centraleve diellorë që qeveria ka tenderuar në zonën e Karavastasë dhe Spitallës, të cilat u fituan nga kompania franceze Voltalia. Por në ndryshim nga dy tenderat e mëparshëm, këtë herë bizneset e interesuara do të duhet ta zgjedhin vet vendin ku do të ndërtojnë centralet.
Për të ndihmuar bizneset që kanë interes të investojnë në ndërtimin e këtyre centraleve, qeveria ka kryer një studim të hollësishëm të gjithë territorit të Shqipërisë, i cili tregon zonat e përshtatshme për ndërtimin e centraleve diellore dhe ato që kanë kufizime, apo e ndalojnë plotësisht këtë aktivitet.

Gara
Qeveria do të zhvillojë tre procedura konkurruese me të paktën 300 megavat kapacitet të instaluar. Gara e parë për ndërtimin e centraleve me kapacitet 300 megavat do të hapet në qershor të këtij viti, ndërsa bizneset do të kenë afat për dorëzimin e ofertave deri në tetor. Por nga këto 300 mega shteti merr përsipër që të blejë për 15 vjet energjinë e prodhuar nga 100 mega, ndërsa pjesën tjetër bizneset do ta shesin në tregun e lirë.
Për këtë sasi do të garojnë dhe bizneset në ankand, ku fitues shpallet ajo kompani, e cila ofron çmimin me të ulët për energjinë që do të blejë shteti. E njëjta skemë garimi do të jetë edhe për dy raundet e tjera që do të zhvillohen në periudha të mëvonshme.

Prodhimi i Energjisë
Kapaciteti total prodhues i energjisë elektrike të instaluar në vendin tonë deri në 31 dhjetor 2021 është 2,6 Giga. Kjo shifër përfshin të gjitha burimet prodhuese të energjisë në vend ujore, diellore apo dhe të tjera, qofshin këto publike apo dhe private. Përmes planit për ndërtimin e centraleve diellore, qeveria synon të shtojë kapacitet prodhuese të vendit me 40 për qind.
Aktualisht Shqipëria ka kontraktuar ndërtimin e dy centraleve diellore me kompaninë franceze Voltalia. Parku i parë ka një kapacitet të instaluar prej 140 mega vat dhe është duke u ndërtuar në zonën e Karavastasë. Pas procedurës konkurruese kompania Voltalia ofroi të shesë energjinë e prodhuar nga 70 mega vat për një cmim 24.89 euro për mega.
Parku i dytë po ndërtohet në zonën e Spitallës dhe ka një kapacitet të instaluar prej 100 megavat. Edhe këtu qeveria ka marrë përsipër të blejë energjinë e prodhuar nga 70 mega me çmimin 28 euro të ofruar nga kompania franceze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *