14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria tërhiqet nga indeksimi i akcizës, rritja kufizohet në 1.5 për qind

Vala masive e rritjes së çmimeve gjatë dy viteve të fundit e ka detyruar qeverinë që të tërhiqet nga indeksimi i akcizës sipas inflacionit duke e kufizuar shkallën e indeksimit dy vjeçar në 1.5 për qind.

Ligji i miratuar në paketën fiskale të vitit 2022, parashikonte se akciza për mallrat e forta si birra, vera, pijet alkoolike apo karbiurantet do të indeksohej një herë në çdo dy vjet me normën kumulative të inflacionit të dy viteve paraardhëse.

Por për vitet 2022-2023, shkalla kumulative e inflacionit shkon 11.4 për qind. Kjo do të thotë se qeveria duhet të indeksonte akcizën për të gjitha mallrat duke e rritur me 11.4 për qind nga niveli ekzistues.

Por kjo do të çonte në një rritje të ndjeshme të taksës, veçanërisht për karburantet. Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë 38.2 lekë akcizë për çdo litër karburant që blejnë në treg. Sipas ligjit ekzistues, në 1 janar të vitit të ardhshëm akciza duhet të rritej me 4.35 lekë shtesë duke arritur në 42.5 lekë për litër.

Për shkak të kësaj rritje të ndjeshme, në paketën e re fiskale ministria e financave ka vendosur që shtesa të mos aplikohet në masën 11.4 për qind, por vetëm 1.5 për qind. Kjo do të thotë se në 1 janar akciza e naftës do të rritet me 0.53 lekë për litër duke arritur në 38.73 lekë për litër.

Ministria e financave thotë se kjo masë do të kufizojë efektin e barrës fiskale duke shmangur rritjen e çmimeve për këto mallra, veçanërisht karburanteve që kanë dhe nivelin më të lartë të akcizës. Për shkak se karburantet në Shqipëri kanë një regjim të rëndë tatimor, indeksimi me 11.4 për qind do të rriste edhe më shumë barrën fiskale të këtyre produkteve, nga nivelet rekord që është.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *