21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria u mbyll derën gjysmës së fermerëve që aplikuan për ndihmë: S’kemi para

Gjysma e fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje financiare nga skemat kombëtare nuk do të përfitojnë asnjë qindarkë, pasi qeveria nuk ka para. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi se fondet që ka në dispozicion mund të mbulojnë vetëm 54 për qind të apikimeve për këtë vit.

“Për skemat kombëtare kanë aplikuar rreth 13,966 aplikantë. Aplikimi më i madh vazhdon të jetë tek masa e blegtorisë me rreth 62% të aplikimeve, ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 28% të totalit të aplikimeve. Fondi i kërkuar përmes aplikimeve është rreth 3,7 miliardë lekë, nga 1,98 miliardë lekë që është fondi i alokuar,” raporton Ministria e Bujqësisë.

Fondi i vënë në dispozion nga qeveria për skemat e mbështetjes kombëtare mbulon vetëm 54 për qind të aplikimeve të kryera nga fermerët. Kjo do të thotë se 46 për qind e fermerëve do të mbesin poshtë vijës së përfitimit për shkak se qeveria nuk ka para.  

Por ky nuk është problemi i vetëm. Edhe skema tjetër e mbështetjes për bujqit, ajo e subvencionimit të naftës, ka mungesë fondesh.

“Për skemën e subvencionimit me naftë për mekanizimin në bujqësi kanë aplikuar rreth 54,691 fermerë në total me një fond të kërkuar prej rreth 2,16 miliardë lekësh. Me buxhetin aktual të programuar mbulojmë vetëm 61% të kërkesës,” raporton Ministria e Bujqësisë.

Ndërkohë nga skema tjetër, ajo e IPARD përgjatë 4 muajve të parë të vitit kanë përfituar mbështetje vetëm 25 fermerë në rang vendi.

Sipas raportit, nisur nga ecuria e deritanishme e punës, problematikë mbetet shtesa e fondeve për skemat kombëtare, pasi kërkesa është shumë e lartë, si dhe shtesë për shpenzimet korrente për AZHBR-në, për mundësimin e pagesave të detyrueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *