Përmes një akti qesharak, qeveria është kujtuar që vetëm dy ditë para zgjedhjeve të miratojë një vendim, i cili zbaton ligjin për faljen e gjobave të miratuar në fund të vitit të kaluar.
Ligji për faljen e gjobave u miratua në dhjetor të vitit të kaluar. Përmes tij falen gjobat e vendosura nga 1 janari i vitit 2015 deri në 30 nëntor të vitit të kaluar nga dikasteret e mëposhtëme:
Inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT)
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU)
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor
Policia e Shtetit
Policia Bashkiake
Vendimi i miratuar këtë të premte nga qeveria, përcakton procedurat që ndiqen për shfuqizimin e gjobave. Bëhet fjalë gjithmonë për ato masa të cilat janë të paekzekutuara, pra për gjobat të cilat nuk janë vjelë.
Sipas vendimit, inspektoratet vendore dhe Policia Bashkiake do të përgatisin brenda 30 ditësh listat e subjekteve përfituese nga falja e gjobave. Njësitë vendore do të heqin gjobat nga sistemet përkatëse të taksave dhe tarifave.
Individët dhe subjektet që konstatojnë se gjobat nuk janë hequr, mund të paraqesin kërkesë për fshirje brenda afateve të përcaktuara.
Ndërkohë inspektoriatet qëndrore si IKMT, AKU, Inspektorati Shëndetësor dhe Policia e Shtetit do të ndjekin procedura të ngjashme për fshirjen e masave administrative të vendosura nga këto institucione.