29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qiratë afatshkurtra/ Shqiptarët fitojnë pak për shkak të çmimeve të lira

Çmimi ditor për të rezervuar një apartament ose vilë me qira afatshkurtër nëpër vendet evropiane këtë verë varioi nga 50 euro për natë në më shumë se 300 euro për natë.Por cilat janë vendet më të shtrenjta dhe ato më të lira për të rezervuar qira afatshkurtra në Kontinentin e Vjetër?

Më e shtrenjta: Monako
Në vendin e parë si shteti më i shtrenjtë për qëndrimet me qira afatshkurtër gjatë 12 muajve të fundit në Europë është Monako. Megjithëse mund të jetë vendi i dytë më i vogël në botë, Monako mbetet një destinacion jashtëzakonisht popullor udhëtimi për të pasurit dhe të famshmit, falë shumë qendrave tregtare të nivelit të lartë, restoranteve me famë botërore, plazheve luksoze dhe, natyrisht Formula 1. Por fama e saj botërore ka një kosto. Çmimi mesatar ditor për vitin e kaluar ishte 338 € për natë.

Vendet e tjera më të shtrenjta për qiratë ditore këtë vit ishin Islanda me 231 €, Zvicra me 208 €, Mbretëria e Bashkuar me 205 € dhe Greqia, ku një netë qëndrimi kushtoi 203 €.

Shqipëria në fund të listës
Nëse jeni duke kërkuar për një arratisje buxhetore, merrni parasysh Moldavinë. Këtu gjen qëndrimet më të lira me qira afatshkurtër në Evropë që nga vera e vitit 2022, me çmimi mesatar vetëm 47 euro në ditë.

Vende të tjera me qëndrime të lira përfshijnë Maqedoninë e Veriut 48 € dhe destinacionin që ishte në trend për këtë verë, Shqipërinë. Në vendin e Shqiponjave rezervimi i një netë qëndrimi me qira afatshkurtër kushtoi mesatarisht 60 euro duke, qenë vendi i katërt më i lirë në Europë pas Moldavisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Shqipëria arriti të regjistronte deri në 27 mijë listime këtë verë, me Vlorën si qarkun rekord të vendit. Sipas të dhënave nga Airbnb, shqiptarët llogaritet të fitojnë mbi 25 milionë euro këtë vit nga dhënia e pronave me qira përmes Airbnb, me një mesatare prej rreth 1 mijë euro për pronë të listuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *