Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga kantieri i punimeve në portin e ri në Vlorë.
Numri një i qeverisë ka shkruar se ky port do të pasurojë peisazhin e Vlorës, duke e integruar Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut.
“MIRËMËNGJES dhe me Portin e Ri Turistik, i cili do ta pasurojë së shpejti peizazhin e Vlorës së Rilindur edhe me jahtet e shumëmunguara të vizitorëve, duke e integruar më në fund Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut dhe duke hapur burim të ri domethënës rritjeje të punësimit, shërbimeve, të ardhurave nga ekonomia e detit, ju uroj të diel të qetë”, shkruan Rama.
Porti turistik i Vlorës po ndërtohet në vendin ku dikur gjendej porti i mallrave. Qeveria vendosi ta prishë Portin e Mallrave për të vënë në dispozicion tokën e tij prej 57 mijë metrash katrorë për ndërtimin e portit turistik nga kompania private Marina Vlorë. Fillimisht shoqëria që mori koncesionin e portit turistik zotërohej nga “Brunes”, “Ndregjoni” dhe “Marina Projects”.
Më vonë struktura e pronësisë ndryshoi, pasi nga kompania koncesionare u larguan Ndregjoni dhe Marina Projects ndërkohë që u afrua në projekt Balfin Group përmes blerjes së 10 për qind të aksioneve.
Në portin turistik të Vlorës parashikohet të investohen 22 milionë euro dhe përveç Marinës do të ketë një kompleks rezidencial me pallate dhe vila. Ndërkohë qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e portit të mallrave që u prish, në një zonë tjetër. Aktualisht ky port po ndërtohet nga bashkimi i disa kompanive dhe taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë mbi 60 milionë euro për ndërtimin e tij.