Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij herë pas herë tallen me ligjin e krijuar vite më parë nga qeveria Berisha “Shqipëria 1 euro”, por Këshilli i Ministrave me urdhër të liderit socialist e zbaton me përpikmëri gjithmonë aty ku kanë interes.
Së fundmi fondacioni jofitimprurës “Fundjavë Ndryshe” me president Arbër Hajdarin me një VKM më 17 prill 2024 kanë përfituar një pronë të tretë përmes programit “Shqipëria 1 euro”.
Hajdari pasi ka marrë në zotërim këto prona ka ndërtuar restorant, magazina, biblotekë, qendra shëndetësore me klinikën dentare, sallat e kurseve të anglishtes dhe teknologjisë, park argëtues për fëmijë, zyra, etj, ndërsa të ardhurat siç pohon ai shkojnë gjithmonë për bamirësi pasi fondacioni është jo-fitimprurës.
Ky vendim i qeverisë është paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama i cili ka thënë se Arbër Hajdari do të ndërtojë biblotekë në Brar të Tiranës.
Kreu i qeverisë thotë se së shpejti do të ngrihet këtu edhe qendra më e madhe e argëtimit të fëmijëve në rajon, ndërkohë që sipërfaqja e re do të përdoret për ndërtimin e një azili, i cili do të akomodojë deri në 200 të moshuar.
Kjo nuk është hera e parë që fondacioni Fundjavë Ndryshe tij merr prona shtetërore me qira 1 euro, pasi në 5 vitet e fundit ky është vendimi i tretë i qeverisë Rama që i “jep” prona shtetërore bazuar në ligjin “Shqipëria 1 euro”.
Vendimi i parë nga Rama për këtë fondacion daton më 13 mars të vitit 2019 ku me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave u miratua lidhja e kontratës së qirasë me tarifën “1 euro” për një truall funksional dhe objekt me vendndodhje në Brar të Tiranës, me sipërfaqe të përgjithshme 43 169.
/ Boldnews.al