24 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rama i shton 2500 metër ndërtim Lul Morinës në Himarë

Në korrik të vitit 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për një kompleks të përbërë nga hotel, apartmante dhe njësi shërbimi në Gjilekë të Himarës. Kompania zhvilluese e projektit ishte Rinia 04 e biznesmenit Juljan Morina.

Sipas vendimit të KKT-së, kompleksi do të kishte një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 7 mijë e 400 metrash katrorë mbi dhe nën tokë.

Por në mars të këtij viti, Këshilli Kombëtar e rishikoi lejen. Sipas justifikimit të KKT-së, ndërtimi i kompleksit kishte rezultuar me probleme për shkak të kuotave të terrenit, ndaj ishte e nevojshme ndryshimi i lejes për të shtuar edhe një kat tjetër nën tokë.

Me ndryshimin e lejes të miratuar në KKT, sipërfaqja ndërtimore e kompleksit është rritur me 2400 e metra katrorë ndërtim shtesë duke arritur në 9 mijë e 800 metra.

Sipas lejes së re, projekti do të ketë 3 kate nëntokë nga dy që ishin parashikuar në lejen e mëparshme. Tashmë një pjesë e tyre do të përdoret për njësi shërbimi, edhe pse më parë të gjitha katet nëntokë ishin caktuar si parkime.

Biznesmeni Juljan Morina ishte një nga më të prekurit nga aksioni i qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje apo në shkelje të lejes së ndërtimit, ndërkohë që pak ditë më parë ai u thirr në SPAK për një transfertë me familjarët e ish ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, një çështje që vijon të jetë në hetim.  

Gjatë aksionit për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje, kompanive në pronësi të biznesmenit Morina iu sekuestruan disa objekte në shkelje të lejes, kryesisht në Tiranë. Por këtë herë qeveria ka vendosur të shtojë katet në mënyrë të ligjshme, ndoshta si formë kompesimi, edhe pse zyrtarisht justifikimi për ndryshimin e lejes të kompleksit në Himarë janë kuotat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *