15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rama: Ministrat nuk do të bëjnë më tendera

Ministrat nuk do të kenë më lidhje me tenderat. Nga 25 prilli cdo tender do të kryhet nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, që është një shoqëri publike. Në fjalën e tij para deputeteve dhe ministrave, kryeministri Edi Rama tha se ky është një hap tjetër në luftën kundër korrupsionit. Sipas kryeministrit, ndërtimi I sistemeve është një prej mënyrave më efikase për luftën kumndër korrupsionit.

“Lufta jonë kundër korrupsionit është shtet-bërja përmes sistemeve. Në luftën kundër korrupsionit, shteti ka fituar terren të humbur në vitet e rrumpallës pseudodemokratike. Është larg se qëni fitues. Dhe duke u kthyer të prokurimet publike, nuk na mjafton kaq.

Shifrat që dhashë nuk duan të thonë se nuk ka korrupsion në prokurimet publike. Absolutisht jo. Kemi hedhur një hap tjetër, e ka hedhur kjo shumicë ,me propozim të qeverisë për të krijuar shoqërinë publike Operatorin e Blerjeve të Përqëndruara që ka nisur me 25 prill dhe do kryejë ajo prokurimet.

E thënë troç, asnjë ministër apo strukturë e varësisë së tij nuk do të ketë lidhje me tenderat po do merret vetëm me politikat sektoriale. Kjo shoqëri do të asistohet nga shoqëri partnere europiane e do të ofrojë shërbimet edhe për njësitë e pushtetit vendor.

Operatori po ndërton një katalog digjital për institucionet publike që të mos bëjnë tendera për çdo dërrasë të zezë apo karrike po të blejnë nga katalogu direkt, ART zone, një katalog për të gjithë shërbimet e shtetit dhe duke kursyer para e kohë e duke i mbyllur derën korrupsionit” deklaroi kryeministri.

Ai bëri me dije se po punohet me kompaninë Microsoft dhe me ekipin e Chat GPT të Mira Muratit për të ndërtuar një model transformues të prokurimeve publike të cilat do të kryhen me inteligjencë artificiale.

Kjo, sipas kryeministrit, jo vetëm do të kontribuojë për zgjidhjen e problemeve me tenderat, por edhe do të ulë ndjeshëm barrën e administratës për realizimin e procedurave prokuruese. Çdo vit, janë mesatarisht 20 mijë persona nga administrata publike që angazhohen për realizimin e tenderave dhe vlerësimin e ofertave.

“Ky model prokurimi do të jetë një shkelm dërrmues për korrupsionin” deklaroi më tej kryeministri.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar te Partisë Socialiste

Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhjeje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, dëshiroj shumë edhe vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013 kur morëm detyrën të rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave të cilët klithnin ditë-natë të izoluar nga penxheret mes pallateve po bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar, mbështetur pa kursim në gjithë këto vite.

Unë sot nuk do të ndalem as tek gjysmë të vërtetat, të cilat, e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, as tek shpifjet, akuzat e rreme apo fabrikimet djallëzore.

Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë.

Qofshin të vërteta të ëmbla për të cilat s’mund të mos jemi krenarë, qofshin të vërteta të hidhura për të cilat nuk ka sesi të na vijë mirë, po s’ka më mirë se sa t’i shohim në sy, ashtu siç janë.

Të nderuar deputetë dhe deputete, ministre dhe ministra!

Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë, Shqipëria ishte në pikën e saj më të ulët, pas vitit të zi 1997. Rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambylla me shtetin; vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet dhe fshat dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan, ishte siguri, siguri, siguri.

Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikëpjekje dhe kontakt të qytetarit me shtetin; në çdo sportel shërbimi dhe udhëkryq trafiku, qytetarët mbanin radha të gjata duke dhënë ryshfet edhe për të dhënë një certifikatë lindjeje apo paguar para për të kaluar policin e radhës.

Në çdo ndërveprim mes biznesit dhe shtetit, ryshfeti ishte i treti i vërteti qoftë kur shteti shfaqej në derën e shitësit të bulmetit për një kontroll, qoftë kur biznesi shfaqej në derën e shteti për një prokurim publik.

Spitalet nuk kishin më ilaçe, por vetëm receta për pacientët që t’i blinin ato ku të mundeshin; familjarët e tyre vinin në spital me çarçafë dhe batanije nga shtëpia në krahë; qendrat shëndetësore ishin si godina të braktisura pas ikjes së një ushtrie pushtuese; edhe kur e gjeje rrallë një infermier në karrige, nuk gjeje një karrige tjetër e lëre pastaj shtrat apo mjete mjekësore për një shërbim normal.

Hyrja në universitete ishte si në dyert e autobusëve të Unazës në vitet ’90, ku rinia shtyhej për ta çarë me para, me parti dhe me krushqi rrugën drejt derës së fakultetit të dëshiruar.

Punësimet në çdo institucion, në çdo komisariat policie, në çdo ambulancë, në çdo shkollë bëheshin me urdhër partie, me ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që s’kishin parti apo lidhje me deputetin e me ndonjë bajraktar lokal, vetëm me lekë.

Prokuroritë dhe Gjykatat ishin pazare të gjësë së gjallë ku shihte rrushi rrushin e piqej, teksa më i dobëti gjithmonë digjej. Prokurorët dhe gjykatësit me integritet jetonin në rrethimin e llumit të mbuluar me toga të zeza dhe të fryrë nga zullumi i ryshfeteve të majme, të agresorëve të ligjit ndaj njerëzve pa mbrojtje dhe ndaj pronave të shtetit dhe të qytetarëve. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin e merrnin favore të paligjshme, fare të patrazuar nga syri qorr dhe veshi shurdh i ligjit, duke bërë prokopi dhe vënë katandi hipur mbi kurrizin e popullit që e përkëdhelnin me fjalë dhe e përdhunonin me vepra.

Protestat kishin mbetur vetëm punë e Partisë Socialiste, askush nuk guxonte të dilte të protestonte kundër qeverisë pa një flamur partie si mburojë. Kush rrallë tek e provonte ndryshe merrte shkopin e policit kokës edhe po të ishte mbi një karroce invalidi.

Kryeministria ishte kthyer në përmbajtje dhe në formë si ato godinat e sherifëve në provincat e Amerikës së viteve ’30, rrethuar me një gardh të ndryshkur hekuri, e nxirë nga papastërtia e mbledhur me muret e shkallëve të saj në vite, e mbuluar ditë-natë nga zymtia e shembujve të forcës dhe e zhveshur nga çdo forcë shembulli.

Protestuesit e vrarë me pushkën e shtetit nga dritaret e asaj godine, trajtoheshin haptazi nga i pari i qeverisë si kriminelë që kishin marrë thjesht dënimin e merituar, ndërsa për drejtësinë, vrasjet e lemerishme shtetërore ishin gabime teknike dhe faje periferike të shërbëtorëve të nënshtruar pushtetit politik.

Imazhi i Shqipërisë ishte i mos o Zotshëm. Lajmet në shtypin europian për Shqipërinë ishin sa të rralla aq të zeza. Edhe kur flitej për turizëm shkaku ishte sa shumë plehra kishte Shqipëria. Vizitat zyrtare të nivelit të lartë në Tiranë kishin ndalur prej disa vitesh; shqiptarët në Europë nuk guxonin të përmendin emrin e vendit të tyre.

Besimi i bashkësisë europiane se në Shqipëri mund të kishte drejtësi, ishte zero; zero ishte dhe besimi i shqiptarëve.

Pandëshkueshmëria ishte bërë emri i dytë i Shqipërisë në sytë e çdo partneri të saj dhe në rreshtat e çdo raportimi serioz ndërkombëtar. Rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE ishte bllokuar nga mali i mosbesimit të gjithanshëm. Për ata që 10 vjet më parë ishin fëmijë dhe sot janë të rinj, 20 apo 25 vjeçarë, kjo tablo mund të duket si pjellë e imagjinatës time, por çdo familje shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë, kjo ishte pasqyra e realitetit të hidhur të qeverisjes, korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Shqipërinë e vetëm një dekade më parë.

Sot pasqyra është pa diskutim krejt tjetër. Kush e diskuton këtë fakt ose është pjesë e pandashme e autorësisë së asaj tabloje të vjetër ose nuk di çfarë flet nga padija nga ligësia apo nga të dyja bashkë.

Padija dhe ligësia janë sot përbërësit kryesore të karburantit të debateve politike dhe mediatike. Kur linçimi i tjetrit dhe shpërfillja përbuzëse e fakteve të pafavorshme për qëllime të linçuesve, e kanë bërë të vërtetën si një gjysma gjel, shëmbëlltyrë të gënjeshtrës më të madhe.

Por nuk është qëllimi im të bëj sot këtu dallimin mes forcës sonë qeverisëse dhe forcave të vjetra keq qeverisëse sepse më mjafton që këtë dallim si dita me natën e bën dhe do ta bëjë përsëri me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Vendosja përballë e dy tablove të Shqipërisë me një dekadë në mes të tyre ka rëndësi vetëm për ta parë sa më objektivisht kontekstin e sotëm të përpjekjes sonë si dhe për ta kuptuar sa më drejtë nevojën e një dallge të re reformimi në funksion të procesit të shtet bërjes europiane të vendit tonë.

Kolegë dhe kolege, kjo forcë qeverisëse, Partia Socialiste e Shqipërisë është prej një dekade në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real dhe të respektuar botërisht. Ku mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit të arrijnë nivelin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Askush më parë, asnjë forcë me peshë në hapësirën e pushtetit politik qysh nga shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Otomane dhe ngritja e flamurit të pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912 nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga vetë pushteti politik. Askush dhe asnjë!

Prandaj dhe asnjëherë, askush që ka qenë pjesë përbërëse apo zgjatimi i pushtetit politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh sot dhe krenarinë për ardhjen e kësaj dite vetëm falë kësaj lufte vendimtare për Shqipërinë që ne, Partia Socialiste e kemi hapur dhe po e zhvillojmë prej 10 vitesh, nuk na e mohon dhe as na e merr dot askush.

Pa forcën udhëheqëse, guximin dhe vendosmërinë e Partisë Socialiste në këto 10 vjet, sot nuk do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve tek drejtësia. Nuk do ta kishte Shqipëria e sotme asnjë shans që ta shihte atë që po sheh, rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë. Monumentit të kulturës së pandëshkueshmërisë, por të jemi të qartë, gjurma jonë në histori nuk do të varet vetëm nga kthesa e ndryshimit tërësor ku e kemi futur shtetit shqiptar, por do të varet nga sa më tej akoma, sot e më tutje ne, Partia Socialiste do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm në sytë e të sotmes, por assesi të mjaftueshëm për sytë e te nesërmen.

Kur i solla më parë tablonë e frikshme të vitit 2013, nuk desha as të them, as të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin, aspak! Ne vetëm jemi futur dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë, reale, të stërngatërruar dhe të stërmundimshme me korrupsionin.

Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Një fakt shumë kuptimplotë. Pikërisht se e kemi me të vërtetë, jo me gjasme këtë luftë, ne nuk e kemi mbajtur lëkuren tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re të cilën shteti shqiptar se ka pasur kurrë, Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit, por edhe ia kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet të pa gjendur ndonjëherë më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe të goditjeve të asaj gryke zjarri. Le të thotë c’të dojë kushdo që nuk do ta pranojë, por sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik.

Jo vetëm kaq, por ne me forcën e shumicës sonë qeverisëse i kemi hapur rrugë dhe furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur drejtësisë në dispozicion jo vetëm një Kushtetutë dhe një hapësirë ligjore të qepur enkas për këtë luftë. Kushtetuta e BE nuk ka trupa speciale, nuk ka trupa ndërkombëtare monitorimi siç ka në Kushtetutën tonë, por edhe një buxhet pagash që si askush në Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar.

Drejtuesit e organeve speciale të drejtësisë qëndrojnë në majtë të piramidës të pagave të këtij shteti më lartë sesa maja më e lartë e hierarkisë shtetërore të çdo shteti, Presidenti i Republikës. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar në të gjithë piramidën e shtetit tonë, përbën pa diskutim një anomali absolute, por ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë dhe për asnjë arsye tjetër në botë përveç fuqizimit të përpjekjes anti korrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë. E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur ende si një fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar ende imunitetin ndaj korrupsionit. Përkundrazi, edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në këtë vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet akoma shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.

Shteti ynë në ndërtim e sipër ka ende rrugë të përpjetë për të bërë që të sigurojë sistemin e mbrojtjes së pa depërtueshme nga korrupsioni dhe këtu nuk bën absolutisht përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret tona qendrore dhe institucionet e varësisë prej tyre, bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre, por dhe agjencitë e tjera të pavarura përfshirë dhe partitë politike, mediat, shoqërinë civile, biznesin dhe vetë pushtetin gjyqësor janë ende lehtësisht të arritshme nga oferta e korrupsionit. Shpesh janë konkretisht të prekshme nga duart e korrupsionit e nganjëherë janë edhe befasisht të gjunjëzueshme nën këmbët e korrupsionit.

Fushëpamja e kësaj lufte i ngjan sot tamam fushës së një lufte të vërtetë që vazhdon, ku pavarësisht nga terreni që ke marr në zotërim mund të arrihesh nga armiku dhe të goditesh prej tij. Ndërsa armiku ka ende forcë të konsiderueshme për të plagosur dhe për të vrarë, por nga ana tjetër ka dhe një të vërtetë të pamohueshme. Nëse deri dje era ishte në favorin e armikut që e kishte spostuar shtetin nga qendra e protagonizmit, sot era është kthyer në favorin e shtetit i cili e ka ri marrë protagonizmin. Kjo është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit me një armik që prej 33 vitesh e sfidon Shqipërinë frontalisht.

Korrupsioni mori terren të jashtëzakonshëm në 23 vitet e para të lirisë, nga 1990 në 2013-ën. Shtet bërja ecte me hapat e breshkës ndërsa korrupsioni me shpejtësinë e makinës. Ndërsa në këto 10 vite ne kemi ndërtuar kushtet për ta kthyer tendencën në drejtimin e duhur, duke luftuar përditë për transformimin e breshkës së shtet bërjes në makinë dhe të makinës së korrupsionit në breshkë, por kush e kujton luftën me korrupsionin si një sfidë, se kush e frikëson më shumë tjetrin, shteti korrupsionin apo korrupsioni shtetin dhe si një histori ekskluzive represioni ligjor për të kapur individët e korruptuar, nuk njeh as historinë e shtet bërjes, as natyrën e korrupsionit.

Korrupsioni është një sistem paralel, kancerogjen i cili ushqehet me dobësitë e sistemit të organizmit të shtetit dhe me qelizat që kap në çdo organ të tij. Ai është një ofertë e paligjshme që lind bashkë me ligjin për ta kthyer atë në anën e vet dhe ka ekzistuar në përmasa dhe forma të ndryshme në çdo kohë dhe në çdo shtet.

Në kohën e komunizmit s’kishte sektor privat, s’kishte as tendera, as lek të madh vërdallë, por kishte ndonjë lek dhe kishte shumë pula dhe shumë raki për të mbaruar një punë që ndryshe mund të mos e mbaroje dot kurrë. Ndërsa në rrugë kalimin nga shoqëria komuniste më shoqërinë e hapur demokratike, korrupsioni lind njëkohësisht bashkë me liritë dhe të drejtat e njeriut në boshllëkun e krijuar prej shembjes së shtetit të vjetër, si një ofertë e kudondodhur, alternative e cila e shoqërinë kapitalizmin si një hije që rritet bashkë me të.

E thënë ndryshe kur vetë pasurimi bëhet aspirata më e madhe e shoqërisë të çliruar nga zinxhiri i varfërisë kolektive të imponuar, pasurimi i lehtë me boshllëkun, në boshllëkun mes gërmadhave të një shtetit diktatorial mbi të cilat nis rruga e mundimshme e ndërtimit të një shteti funksional demokratik, bëhet një dem anësor i pashmangshëm.

Në atë rrugë korrupsioni është aty, magnet për të gjitha subjektet e shoqërisë, nga individi e deri tek kompanitë e mëdha, gati për të goditur, kudo e kurdoherë që sistemi kushtetues e ligjor i institucioneve, ose nuk ua garanton subjekteve në kohë e me drejtësi, atë çka u takon me Kushtetutë e me ligj, ose nuk arrin t’i pengojë dot për të marrë padrejtësisht atë çka me ligj e me zakon nuk u takon.

Prania e korrupsionit në një fazë të tillë historike, siç ishte tranzicioni ynë i gjatë, bëhet e gjithanshme, endemike, kapilare.

Ndërsa kohëzgjatja e përballjes së gjithanshme të shtetit e të shoqërisë me korrupsionin, si alternativë e shtetit varet nga si dhe sa shtetbërja demokratike nxitet me reforma, mbështetet në legjislacionin e domosdoshëm, zhvillohet me krijimin e mekanizmave të nevojshëm institucionalë, zgjerohet në hartën e organizmit të jetës publike, shtresëzohet në të gjitha nivelet bashkëjetesës mes qytetarit e shtetit dhe shtrihet në të gjitha rrugët që garantojnë mbrojtjen e interesave publike e private.

Edhe pse tranzicioni klasik i vendit tonë është mbyllur, rrugëkalimi i Shqipërisë nga shoqëria më e mbyllur, më e varfër e më e traumatizuar e Lindjes Komuniste – me një të kaluar të gjatë në guackën e mendësisë otomane më jep të jap – drejt një shoqërie të hapur me një demokraci funksionale si pjesë përbërëse e Bashkimit Europian, nuk ka përfunduar ende. Sepse përpos historisë së gjatë pa shtet e pa institucione të vetat, trashëgimisë së rëndë të shtetit komunist, e plot arsyeve të tjera, që as nuk është vendi dhe as jam unë personi me kompetencat e duhura për t’i renditur, Shqipëria pati edhe një fatkeqësi të vetën krejt origjinale në këtë rrugëkalim, krahasuar me të tjera vende, nga mendësia otomane më jep-të jap, në kulturën demokratike të respektit për ligjin dhe institucionet. Kjo fatkeqësi origjinale ishte fakti se shqipëria u vu gjatë, shumë gjatë, nën presionin mbytës të një jete publike të penguar dhe të ndikuar si askund tjetër, në lindjen komuniste nga fryma tribale e një segmenti politik që e mishëroi antikomunizmin, si pjellë të ngjizur nga martesa e bajraktarizmit me enverizmin.

Prandaj edhe lufta kundër korrupsionit ka nisur në fakt siç duhet, frontalisht, me reforma zhbllokuara, të vonuara, të pafillura fare, të paguxuara apo edhe krejt të padëshiruara fare, vetëm atëherë kur me të gjitha të tjerat, nisim edhe përpjekjen tonë për Reformën në Drejtësi.

Prej dhjetë vjetësh kjo nuk është më një luftë arnash, ca atje e ca këtu, ca sot e ca pasnesër, po është një luftë e gjithanshme për goditjen e sistemit paralel të korrupsionit. Pa asnjë diskutim që kjo luftë deri këtu nuk është zhvilluar as pa gabime, prej të cilave përpiqemi të kuptojmë më shumë; as pa dështime, pas të cilave riorganizohemi me një qasje më të drejtë; as pa zhgënjime, nga të cilat mësojmë se çfarë duhet ndryshuar.

Por që deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak, nuk e them unë. Këtë e thotë vendimi shumë domethënës i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Nuk çelte kurrë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë Bashkimi Europian, nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si dita me natën, krahasimisht me atë që ishte kur nuk i jepnin as statusin e kandidatit për BE, jo më t’i hapnin dritën jeshile të negociatave.

Këtu llafollogohet e thashethemohet nga mëngjesi në darkë, kanal më kanal e portal më portal për sa keq është Shqipëria, por çfarë thotë dokumenti i diagnozës së nxjerrë nga skanimi që BE-ja i bëri Shqipërisë për nisjen e procesit të negociatave i njohur në gjuhën e Brukselit si procesi Screeening

Nuk ka dokumente të tjera ndërkombëtare me objektivitet të pakonkurueshëm, si dokumentat e Komisionit Europian, për faktin e thjeshtë sepse janë me dhjetëra e dhjetëra njerëz, në Tiranë e në Bruksel, të cilët punojnë me saktësi kirurgjikale në mbledhjen, leximin, kuptimin e fakteve dhe përshkrimin e detajuar të situatës së një shteti në procesin e integrimit.

E pra ai dokument themelor për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, siç rreshton të gjitha problemet e sfidat që kemi, i rreshton edhe të gjitha arritjet e Shqipërisë të padiskutueshme në luftën kundër korrupsionit, të cilat duan s’duan ata që nuk duan, provojnë një të vërtetë kokëfortë.

Shqipëria e ka kaluar më të keqen dhe ka hyrë në një fazë të re të rrugëkalimit të saj drejt një shoqërie të hapur me demokraci funksionale. Nuk është opinion im, po është fakt i mbështetur në të dhëna objektive që Shqipëria nuk ke qenë kurrë më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian, sepse nuk ka qenë asnjëherë më parë më shumë shtet demokratik dhe europian se sa sot.

Por pa dyshimin më të vogël, po kaq i vërtetë është edhe fakti se korrupsioni nuk është zmbrapsur deri aty ku nuk mund të jetë më një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë. E pikërisht për këtë arsye, në këtë fazë të re ku është Shqipëria, lufta kundër korrupsionit duhet vazhduar kudo, përditë, duke i shtrënguar sot më shumë se kurrë, radhët e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese të Republikës sonë, në një front të vetëm.

Kjo do të thotë një përpjekje e re, e madhe, e përbashkët, e të gjitha institucioneve dhe forcave aktive të shoqërisë, për një fuqizim të mëtejshëm të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por edhe për një harmonizim të domosdoshëm të punës së tyre në funksion të shtetit shqiptar përballë derës së BE. Çdo aktor politik, institucional, shoqëror duhet ta kuptojë këtë nevojë, si një domosdoshmëri jetike për ta fituar luftën me korrupsionin dhe për të kontribuar për një rritje të menjëhershme të presionit reformues përgjatë gjithë harkut institucional të vendit.

Duhen përafruar më shpejt ligjet tona me BE-në. Duhet nxitur e mbështetur më shumë modernizimi demokratik dhe inovacioni teknologjik i gjithë sistemit të qeverisjes së të treja pushteteve. Duhet rritur më shumë transparenca, llogaridhënia, kontrolli, duke harmonizuar shumë më mirë veprimtarinë e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese, për të forcuar më tej sundimin e ligjit dhe neutralizuar ofertën e paligjshme të korrupsionit.

Kjo do të thotë gjithashtu që të gjithë ata që duhet të bëjnë pjesën e tyre të luftës, sipas peshës e pozicionit në këtë front për Shqipërinë anëtare të BE, duhet të marrin përsipër edhe kostot e saj, sepse përndryshe lufta frontale me korrupsionin mund të vazhdojë më gjatë se sa mund, duhet dhe jam i bindur, do të mbyllet me anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

E natyrisht, neve, Partisë Socialiste, na takon pjesa e luanit në këtë luftë, qoftë për arritjet e pranuara botërisht e po njësoj, për mosarritjet po botërisht të njohura në rrugën e këtij progresi tërësor të shtetit, jo thjeshtë të qeverisjes. Por po ashtu, na takon edhe pjesa më e madhe kostove të pashmangshme politike, të cilat na vijnë në daç nga faturat e të korruptuarve brenda nesh, në daç nga kusuret e mëdha të baltës që hidhet drejt nesh.

Ky është realiteti dhe të vërtetat e këtij realiteti nuk mund t’i ndajmë, duke hapur gojën për ato që na pëlqejnë e duke mbyllur sytë e veshët për ato që nuk na pëlqejnë, po duhet t’i marrim të gjitha bashkë, siç janë, e t’i përdorim si motive force, angazhimi, besimi dhe burime reflektimi, mësimi, vetëkorrigjimi, nëse duam ta afrojmë, jo ta largojmë majën e lartë, ku duam e do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë 2030.

Askush të mos ketë asnjë iluzion se gjendet dot në këtë vend një fuqi tjetër nga fuqia e Partisë Socialiste, që të ketë aftësinë, kurajon dhe fuqinë, po tanimë edhe eksperiencën që ta udhëheqë e ta fitojë dot betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, e cila është në thelbin e saj është një luftë e madhe për triumfin e kulturës së shtetit mbi traditën e antishtetit.

Këtë të vërtetë nuk duhet ta harrojë asnjëherë, asnjë ditë të vetme, asnjë drejtues, deputet, ministër, kryebashkiak i Partisë Socialiste dhe asnjë anëtar i kësaj partie, jo për t’u mburrur, në asnjë mënyrë, po për të mos e humbur në asnjë rast e për asnjë arsye, vetëdijen dhe përgjegjësinë për rolin tonë udhëheqës, vendimtar, absolutisht të pazëvendësueshëm, sot për sot e për shumë kohë akoma, në këtë luftë për Shqipërinë.

Sot që flasim, në radhë të parë të gjithë ju dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje politike, mos e hiqni nga mendja dhe ndërkohë të gjithë duhet ta dëgjojnë se pas 113 vjetësh pavarësi të Shqipëri, pas 33 vjetësh pluralizëm politik dhe pas krijimit të 333 partive në këtë vend, kjo parti është e vetmja në hapësirën e armikut historik të drejtësisë në Shqipëri, pushtetit politik, që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush tjetër.

Ne kemi zgjedhur të luftojmë për pavarësimin dhe forcimin e drejtësisë, duke u vetëvendosur, jo vetëm në anën e drejtësisë, përmes ushtrimit të pushtetit tonë si shumicë ligjvënëse, po edhe në dispozicion të drejtësisë, përmes tërheqjes sonë të plotë nga çdo kontroll politik i saj. Ne jemi e para parti politike në historinë e Shqipërisë që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur nga drejtësia, duke vrarë drejtësinë. Ne jemi vetëçarmatosur.

Falë intuitës së pakonkurueshme politike të popullit shqiptar, që e ka kuptuar se përtej kusureve jo të vogla, kjo parti është e vetmja që ka ambicien, kurajon dhe aftësinë për ta bërë këtë vend një shtet normal europian, e për ta ngritur flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian, ne kemi sot edhe forcën udhëheqëse që ta realizojmë këtë ëndërr të vjetër shqiptare.

Kemi në dorë shumicën e parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv, pa qenë të detyruar t’i themi dajë asnjë derri, për të qeverisur e për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt majës ku e meriton amaneti i rilindasve tanë dhe e drejta e fëmijëve tanë.

Prandaj o e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, duke ia vënë shtetit që po ndërtojmë të gjithë pushtetin e Partisë Socialiste në dispozicion,bashkë me gatishmërinë për të marrë çdo kosto, ose kjo dallgë e sapongritur e drejtësisë së re, kundër abuzuesve të pushtetit politik e të funksioneve publike, do të thyhet nëpër shkëmbinjtë ende të kudondodhur të kulturës e të politikës së vjetër antishtet.

Prandaj dua edhe të jem shumë i qartë këtu me ju:

Tek kjo ne-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot, të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një “ne” të njëjtë, si kur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shqiptarëve, si për këdo mes nesh, sado afër këtu apo sado larg nga këtu, që tradhëton ata që na kanë besuar, duke flirtuar me armikun e shpallur numër një të kësaj lufte, i cili është korrupsioni.

Kush flirton me atë armik, kush i tradhëton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhëton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne!

Ashtu sikundër, kushdo që është zgjedhur në krye të një bashkie ose punon si drejtues dhe përgjegjës në nivelet e tjera të administratës shtetërore, qendrore apo vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes!

E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është vetëm një tradhëtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar, si çdo hajdut me kostum që merr ç’nuk është e tija, po edhe i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet. Kur qëllon që fatmirësisht një hajdut e parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por ama lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë.

Vjen edhe tek unë njësoj si tek ju, helmi që hidhet, duke përdorur raste të korruptuarish apo të dyshuarish për korrupsion, siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellat e kështjellave për të helmuar të tërë ata që jetonin në kështjellë. I dëgjoj edhe kur thonë hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun një karrige më poshtë, tre karrige më tutje apo edhe njëqind kilometra larg teje, se edhe ai i yti është, i Partisë Socialiste është… Jo, jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli.

I dëgjoj patjetër, edhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës dhe nuk pushojnë duke bërtitur “ia kapën këtë ministër e ia kapën atë ministër,

ia rrasën brenda këtë kryetar bashkie e atë drejtor drejtorie”, në një tam-tam të përditshëm e të dëshpëruar për të shurdhuar e helmuar popullin…

Po në sistemin ku jetojmë individi është sovran, ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit, partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej me të tjera, sipas oreksit të partisë-shtet që ushqehej me dogmën morale të fajit kolektiv. Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asocim. Ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asocim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal. Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për njëmijë e një arsye, por puna që na lidh për një qëllim në këtë rast shumë të madh a për plot arsye të mira edhe na zgjidh për një vepër të ulët si tradhëtia.

Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje, qysh në ditën e parë të fillimit të punës e jo vetëm, se kush lufton për qëllimet tona të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap, ka diskrecion të plotë në vendimet e veta e në rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe më ka në krah, kurdoherë që do të sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët. Por kush gabon, duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë, duke luftuar me mua e me Partinë Socialiste për të mirën e punës së përbashkët për shtetin, e nga ana tjetër duke punojë fshehtaz edhe për xhepin, nuk do të ketë në krah as mua, as Partinë Socialiste, por vetëm avokatin e vet përpara drejtësisë.

Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, shumë gjëra i kemi ndryshuar së bashku në çdo sektor, po kjo devizë as nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, deri kur të jem unë të paktën.

“Jo po PS-ja duhet t’i mbajë njerëzit e saj dhe ti duhet s’duhet t’i lëshosh njerëzit e tu!”…

Ah jo jo, unë nuk lëshoj djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret.

“Jo po s’kam bërë asgjë, po më bien në qafë se ma bën ky e ma bën ai, se SPAK-u kështu e SPAK-u ashtu”…

Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj unë dhe PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *