16 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rama sulmon ndërtuesit, të cilëve u firmos kullat. Pse mashtroni me taksat?

Kryeministri Edi Rama deklaroi se çmimet e rritura të referencave në ndërtim nuk do të ndryshohen. Gjatë takimit me sipërmarrësit, shefi i qeverisë akuzoi ndërtuesit për evazion u duke kërkuar të shpjegojnë se pse i shesin apartamentet shtrenjtë dhe e deklarojnë shumë të ulët shifrën reale. Rama tha se çmimi i referencës është vendosur në bazë të tregut dhe taksa 3% për strehimin social është minimale.

“Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti të thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin?

Këtë nuk kishit parashikuar ju, ju do gënjenit shtetin pa mbarim dhe do shisnit apartamente me 2 mijë euro dhe do i deklaronit me 850 euro. Këtë nuk kishit parashikuar ju dhe evazionin,” deklaroi shefi i qeverisë.

Sipas tij, kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tej. “Epo ju të shisni apartamente me 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë, 5, 8 mijë euro dhe të deklaroni çmime që janë larg të vërtetës, kjo nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës janë vënë mbi bazën e tregut. Është bërë një studim i tregut dhe iu është vënë detyrimi që të përgjigjeni në bazë reale. Sa doni të fitoni ju, ju doni të fitoni sa më shumë,” vijoi Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi ndërtuesit që mos të kërkojnë ndryshimin e çmimit të referencave.

“Mos ta dëgjojmë më historinë e vendosjes në një nivel të arsyeshëm sepse nuk është akoma maksimumi që duhet vendosur por në një nivel të arsyeshëm kur ti shkon deklaron shitjen sepse kur ti gënjen, shteti ka detyrë të thotë këtu nuk është kaq. Është bërë një kohë e gjatë, çmimet rriten çdo javë. Është shenjë e mirë në një aspekt për rritjen e vlerës së pasurisë, nga ana tjetër duhet të përfitojnë të gjithë,” tha Rama.

Ndërtuesit që akuzoi sot kryeministri për evazion, janë të njëjtit të cilëve ai u firmos kullat shumëkatëshe në qendër të Tiranës apo lejet e resorteve në zonat bregdetare të vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *