15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Raporti i APP/ Vitin e kaluar, mbi 30% e tenderave u dhanë me vetëm një ofertë

30% e tenderëve që u finalizuan me sukses gjatë vitit që shkoi u dhanë pa garë, pasi pjesëmarrës ishte vetëm një operator ekonomik. Sipas të dhënave të nxjerra nga sistemi i prokurimit elektronik, rezulton se numri i procedurave tenderuese mbi kufirin monetar prej 1 mln lekë, me një ofertë të dorëzuar dhe të finalizuar me njoftim fituesi është 1218, nga totali prej 4007 tenderë që u finalizuan me fitues gjatë periudhës janar – dhjetor 2023.

Po ashtu, sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimit Publik rezulton se 112 prej procedurave prokuruese, ku ka marrë pjesë vetëm një operator kanë qenë tenderë mbi kufirin e lartë monetar.

Ndërkaq, sa i takon fondit total që është tenderuar pa garë, për të dytin viti radhazi APP nuk e bën publik shifrën, ndërkohë që në viti 2021 kjo vlerë arriti në 330 mln euro apo 21% e fondit total të prokuruar.

Realizimi i procedurave të prokurimit publik me vetëm një pjesëmarrës nuk është i ndaluar nga legjislacioni në fuqi, por gjithsesi ato përbëjnë arsye për ngritjen e flamujve të kuq, për shkak të mungesës së konkurrencës.

Ndërkohë që, mungesa e konkurrencës ul mundësitë e kursimit të parave publike, pasi vlerësimi i ofertës mbi çmimin më të favorshëm të ofruar është i pamundur.

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, nga të gjitha procedurat tenderuese të realizuara vitin që shkoi vlera totale e kursyer e procedurave të fituara ndaj fondit total limit arriti në 15% apo rreth 20.3 mld lekë.
Scan Tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *