Mbi 25 për qind e prodhimit të ekonomisë shqiptare tani vjen nga sektori i turizmit ose aktivitetet e lidhura me të. Statistikat janë bërë të ditura nga Këshilli Botëror i Turizmit, sipas të cilit, në Shqipëri tashmë 1 në 4 lekë të prodhimit Kombëtar vjen nga turizmi.
“Sektori Shqiptar i Udhëtimit dhe Turizmit kontribuoi më shumë në ekonomi dhe mbështeti më shumë vende pune në vitin 2023, se çdo vit më parë në histori,” thuhet në raportin e Këshillit Botëror të Turizmit. Sipas hulumtimit më të fundit të organizmit global të turizmit, kontributi i sektorit në PBB-në e Shqipërisë arriti pothuajse 565 miliardë lekë vitin e kaluar, që ishte pothuajse 37% më shumë se niveli më i lartë i mëparshëm në 2019-ën.
“Vendet e punës të mbështetura nga sektori u rritën me më shumë se 10% krahasuar me 2019 me pothuajse 269,000 vende pune të mbështetura nga industria e turizmit në të gjithë vendin, duke përfaqësuar një në pesë vende pune në Shqipëri,” thuhet në raport.
Shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë u rritën me më shumë se 45% se kulmi i vitit 2019, për të arritur 464 miliardë lekë, me shpenzimet e vizitorëve vendas gjithashtu duke tejkaluar nivelet e vitit 2019, duke arritur më shumë se 100 miliardë lekë vitin e kaluar.
Rekordet parashikohen të thyhen përsëri në 2024
Këshilli Botëror i Turizmit parashikon që kontributi i përgjithshëm i këtij sektori në PBB-në e Shqipërisë, të vazhdojë të rritet, për të arritur pothuajse 608.5 miliardë lekë këtë vit, me gati 10,000 vende pune të tjera që priten të shtohen.
Shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë parashikohen të rriten në më shumë se 493 miliardë lekë, një rritje mahnitëse prej 55% në nivelet e vitit 2019. Shpenzimet e vizitorëve vendas gjithashtu parashikohen të arrijnë mbi 107 BN këtë vit.
Julia Simpson, Presidente dhe CEO e këshillit Botëror të Turizmit tha se sShqipëria është një shembull i shkëlqyer sesi Udhëtimi dhe Turizmi mund të nxisë prosperitetin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
“Shifrat rekord për Shqipërinë përfaqësojnë progres real dhe mundësi reale për mijëra punëtorë. Shqipëria ka dalë në skenën botërore si një destinacion i madh dhe po vendoset si një destinacion në rritje në peizazhin global të turizmit,” tha ajo
Si duket dekada e ardhshme?
Organizmi global i turizmit parashikon që sektori do të rrisë kontributin e tij vjetor të PBB-së në 749 miliardë lekë deri në vitin 2034 dhe parashikohet të punësojë më shumë se 314,000 njerëz në të gjithë vendin, me një në katër banorë shqiptarë që punojnë në këtë sektor.
Shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtarë parashikohen të arrijnë në 565 miliardë lekë, dhe shpenzimet e vizitorëve vendas pritet të arrijnë pothuajse 152 miliardë lekë.