30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Raporti i studios ligjore amerikane: Dosja e SPAK ndaj Ahmetajt, proces politik

Ish zv kryeministri Arben Ahmetaj ka kontraktuar një nga studiot më të njohura ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një opinion të pavarur mbi akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK. Raporti, të cilën Ahmetaj e ka publikuar në profilin e tij në facebook, ka dalë në përfundimin se procesi ndaj ish zv/kryemistrit ka qenë i motivuar politikisht dhe me shkelje të rënda ligjore.

Vlerësimi ligjor për dosjen e SPAK është kryer nga disa ekspertë të studios përfshirë ish prokurorin dhe ish drejtorin e doganave dhe emigracionit në SHBA, John Sandweg. Ahmetaj thotë se raportin ja u ka nisur ambasadave të vendeve partnere, por edhe institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë Kuvendit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Postimi i plotë i Ahmetaj
Në vazhdën e persekutimit politik për më shumë se një vit e gjysëm, të vazhduar e orientuar në media (të financuara nga inceneratorët) dhe në institucionet e akuzës, u detyrova të kërkoja një Opinion të dytë të pavarur (Indipendent Second Opinion) nga një firmë ligjore ndërkombëtare me qendër në SHBA.

Firma ligjore “Nixon Peabody” mori në shqyrtim të gjithë raportin e SPAK paraqitur në kërkesën që ky i fundit dorëzoi në Kuvend për heqjen e imunitetit parlamentar. Firma ligjore “Nixon Peabody” pas disa muajsh punë me bashkëpunëtorë me eksperiencë të fushës (ish-prokurorë federalë, apo ish-investigatorë të institucioneve ligjzbatuese amerikane) kanë prodhuar një raport të gjatë prej 420 faqesh duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Në raport ka dhe një përmbledhje prej 38 faqesh, ku bie në sy një nga konkluzionet e “political motivation or others…”, pra sulme te orientuara politikisht, për akuzat e ngritura ndaj meje, përmbledhje e cila mund të lexohet lehtësisht nga kushdo i interesuar.

Këtë raport ia kam dërguar Ministrit të Drejtësisë, Kryetares së Kuvendit, Kryeinspektorit Metani, si dhe disa përfaqësive të huaja të shteteve dhe institucioneve që kanë kontribuar në reformën në drejtësi.

Më poshtë kam atashuar linkun e materialit të plotë, i cili është lehtësisht i aksesueshëm.
Tashmë nuk kam më as habi, e as çuditem nga goditjet e orientuara, të kaluara, të tashme e të ardhme. Nuk kam çudi as nga standardet e aplikuara. Në të ardhmen e afërt do të komunikoj në detaje për akuza / supozime e përtej…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *