12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Reagon Beqaj: Do kërkoj hetime shtesë në gjykatë, sterilizimi përmirësoi shëndetin publik dhe u kurseu para qytetarëve

Ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, i vënë nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre me koncesionin e sterilizimit, ka reaguar duke i cilësuar hetimet e prokurorisë së posaccme si të paplota. Përmes një deklarate për mediat Beqaj thekson se koncesioni i kurseu para qytetarëve shqiptarë si dhe ka bërë të ditur se bashkë me avokatët e tij do të kërkojnë veprime hetimore shtesë në gjykatë

Deklarata e plotë e Beqajt
Sot u paraqita në SPAK për tu njohur me:
(1) vendimin e prokurorëve të çështjes për përfundimin e hetimeve, dhe
(2) vendimin e prokurorëve për komunikimin e akuzës për shpërdorim detyre për çështjen e sterilizimit.
E kam thënë dhe më parë, dhe po e përsëris.
Unë të vërtetën time do ta ballafaqoj në gjykatë, dhe kjo ditë po afron.
SPAK duhet ta kishte filluar analizën për përgjegjësinë time si ish ministër që nga referimi i neneve përkatëse në Kushtetutë dhe në ligjin për kujdesin shëndetësor, sepse referuar atyre dispozitave unë dhënien e një shërbimi cilësor dhe të barabartë, nga veriu në jug të Shqipërisë e kam patur detyrim dhe mision.
Çdo funksionar publik ka detyrim të përdorë me efiçencë fondet publike, por një ministër shëndetësie ka për detyrë të pakësojë shpenzimet nga xhepi i tyre që bëjnë qytetarët për kujdes shëndetësor.

Sot e kësaj dite shëndetësia ka shumë sfida, por vetëm falë kësaj reforme që ne bëmë për sterilizimin, sot njerëzit operohen të sigurtë në spitalet publike dhe nuk shkojnë tek privati vetëm për të shmangur infeksionin si deri në 2014. Nga fillimi zbatimit të kontratës në cdo sallë kirurgjie të spitaleve publike janë operuar në kushte optimale 445 mijë qyetetarë shqiptare.

Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve. SPAK ka dashur të hetojë pse nuk u vu në punë centrali i sterilizimit nga prill 2010 deri në shtator 2013.

Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, SPAK nuk arriti të vlerësojë dy kriteret kryesore të një procesi sterilizimi (1) uljen e ditëve të qëndrimit pas operacionit dhe (2) uljen e ditëve të marrjes së antibiotikëve. Të dyja këto kritere vlerësimi konvertohen patjetër në vlerë monetare dhe nga ky konvertim shikohet më pas nëse shteti ka fituar apo ka humbur nga ky koncesion. Deri më sot SPAK nuk ka bërë asnjë hetim në lidhje me këto dy kritere vlerësimi.

SPAK nuk e pa të udhës të hetojë se si kanë ndryshuar nga para zbatimit të kontratës me aktualisht ditë qëndrimi për pacientët e kirurgjisë, infeksionet nozokomiale dhe rezistenca antimikrobike.

Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, SPAK nuk e pa të të udhës të hetojë “vlerën e parasë” që është arritur me këtë kontratë, të hetojë çfarë risqesh të marra përsipër nga partneri privat janë materializuar gjatë zbatimit të kontratës. Këto janë kritere kryesore të vlerësimit të një partneriteti publik-privat.
Në 50 muaj që nga fillimi i hetimeve, nuk rezulton që SPAK të ketë angazhuar ndonjë ekspert të shëndetit publik, të kirurgjisë apo të financave.
Në katër muajt e fundit që prej komunikimit të fillimit të hetimit ndaj meje, kam qënë në dispiozicon të prokurorëve. Kemi bërë rreth 30 kërkesa për veprime hetimore shtesë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
A nuk duhet prokurorët të hetojnë dhe reflektojnë gjatë hetimeve edhe fakte që janë në favorin tim dhe provojnë të kundërtën e akuzës?! A kanë detyrim prokurorët që të zbatojnë nenin 8/a të Kodit të Procedurës Penale apo unë nuk kam asnjë lloj të drejte gjatë hetimeve?!
Akuzave të SPAK do t’i përgjigjemi me të vërtetën tonë e cila është më e fortë dhe e logjikshme mbi të gjitha.
• Do të kërkojmë të bëjmë deklarime shtesë.
• Do të kërkojmë veprime hetimore shtesë.
• Do të paraqesim memorie brenda datës 28 mars 2024.
Ndërkohë, mesa duket këtë çështje do ta diskutojmë edhe në komisionin hetimor të Kuvendit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *