8 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rekord historik/ Shqipëria arkëtoi 3.2 miliardë euro nga turizmi për 9 mujorin

Shqipëria përfitoi 3.2 miliardë euro të ardhura nga udhëtimet për 9 mujorin e këtij viti çka përbën një rekord të paregjistruar ndonjëherë më parë. Banka e Shqipërisë raportoi se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, flukset hyrëse nga turizmi për ekonominë kombëtare janë rritur me 1.1 miliardë euro ose gati 52 për qind.

Vetëm në tremujorin e tretë, që përbën dhe pikun e sezonit turistik, të ardhurat nga turizmi sipas BSH ishin 1.66 miliardë euro ose 60 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.  

Përmirësimi i fortë në bilancin e turizmit po sjell ndryshime të mëdha në strukturën e ekonomisë. Për herë të parë në historinë pas rënies së regjimit komiunsit, Shqipëria regjistroi sufiçit të llogarisë korrente, madje në përmasa të konsiderueshme.

Sipas BSH, në periudhën korrik-shtator bilanci i llogarisë korrente u mbyll me 354 milionë euro sufiçit, që do të thotë se eksportet shqiptare të mallrave dhe shërbimeve si dhe transfertat që ekonomia përfiton nga jashtë përmes emigrantëve ishin më të mëdha se sa importet e mallrave dhe shërbimeve plus transfertat neto për jashtë.

Por me domëthënës është fakti se edhe po ta zhveshësh nga dërgesat e emigrantëve, llogaria korrente rezulton sërish me sufiçit. Pra aktualisht Shqipëria po eksporton jashtë më shumë mallra dhe shërbime se sa po importon.

Prej 30 vitesh Shqipëria ka regjistruar në mënyrë sistematike defiçit të llogarisë korrente. Por tashmë ekonomia bilanci është përmbysur. Pasojat e para të kësaj zhvendosje strukturore janë materializuar sakaq me lekun që është forcuar ndjeshëm veçanërisht ndaj euro, një trend që duket se do të vazhdojë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *