Qeveria i ka dhënë 10 mijë metër katrorë tokë shtetërore falas në qytetin e Korçës një kompanie të quajtur Investment and Development Albania, e cila do të ndërtojë aty një resort turistik. Kompania do të investojë 18 milionë euro për ndërtimin e një strukture turistike elitare që do të ketë në përbërje një hotel me 5 yje, me kapacitet total prej 94 dhomash, restorante, bare, SPA etj si dhe parashikon të punësojë 94 vetë në këtë resort. Sipas projektit, hoteli që do të ndërtohet do të menaxhohet nga brandi i njohur ndërkombëtar i hoteleve Acor.
Dy muaj më parë, projekti i resortit ka marrë statusin e investimit strategjik me procedurë të asistuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Qeveria është angazhuar që përveç tokës, të asistojë kompaninë edhe në kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike.
Po kështu, investimi përfiton asistencë nga shteti në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit. Ndërkohë që paralalelisht atij i mundësohet lidhja me rrjetin elektrik, atë të ujësjellësit si dhe kanalizimet e ujërave të ndotura.
Përgjithësisht investimet strategjike të miratuara deri më tani kanë synuar kryesisht zonën e bregdetit. Ky është investimi i parë strategjik, që miratohet për qytetin e Korçës.
Kompania Investment and Development Albania zotërohet nga biznesmenët Agim Zeqo, Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi. Zoti Zeqo është aksioneri i maxhorancës me 40 për qind të aksioneve, ndërsa dy ortakët e tjera kanë respektivisht nga 30 për qind të kuotave.