14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rikthehen importet masive të energjisë, KESH ble 8.1 milionë euro

Dy ditë më parë Korporata Elektroenergjetikë Shqiptare mbylli tenderin për blerjen e 74.4 mijë mega vat energji. Sipas dokumentave të publikuara nga KESH, energjia që do të dorëzohet për periudhën nga data 1 deri ne 31 gusht u ble me çmim mesatar 108.88 euro për mega. Në total, kontrata i kushtoi KESH gati 8.1 milionë euro.

Por energjia e kontraktuar dy ditë më parë, nuk është e vetmja që i nevojitet KESH për të mbyllur furnizimin e muajit Gusht. Korporata përllogarit se do t’i duhen edhe 100 mijë mega vat të tjera, të cilat do të bllihen me frekuencë javore gjatë muajit të ardhshëm. Me çmimet aktuale të energjisë, kjo nënkupton përfaërsisht edhe 10 milionë euro të tjera për të mbyllur furnizimin e Gushtit me energji elektrike.

Importet e energjisë elektrike nisën në datën 15 korrik. Për të garantuar furnizimin e këtij muaji, KESH zhvilloi disa tendera relativisht të vegjël. Por ndërkohë për gushtin sasia e kontraktuar është rritur ndjeshëm. Në total kosto e blerjes së energjisë nga importi për këtë vit, deri në fund të Gushtit pritet të arrijë 25 milionë euro.

Por Korporata thotë se ky nuk do të jetë një vit i vështirë për furnizimin me energji elektrike dhe financat e saj. Sipas të dhënave zyrtare, aktuale rezerva hidrike në basenet e kaskadës së Drinit është në kuota të larta. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 294 metër mbi nivelin e detit, vetëm dy metër poshtë pikës maksimale.

Në kushtet aktuale, Fierza ulet mesatarisht me 1 metër në çdo 4 ditë duke përfshirë kontraktimin e energjisë nga importi. KESH vlerëson se nëse ajo nuk do të blinte energji rezerva hidrike do të binte shumë më shpejt dhe niveli i ujit në Fierzë do të ulej me 1 metër në çdo dy ditë.

Megjithatë Korporata pret që periudha e vështirë të kalojë shumë shpejt. Parashikimet tregojnë se ky do të mbetet një vit i mirë dhe pavarësisht thatësirës aktuale, reshjet pritet të rikthehen shpejt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *