14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Rikthehet ligji i biokarburanteve

Qeveria ka rikthyer projektligjin e biokarburanteve, i cili prej vitesh mbahet peng në sirtarët e shtetit për shkak të kulisave, por edhe lobimeve të biznesit. Drafti, i cili është hedhur për konsultim publik detyron shoqëritë e tregtimit të karburanteve që vitin e ardhshëm të tregtojnë minimalisht një sasi biokarburanti sa 5 për qind e totalit. Ndërsa duke filluar nga viti 2025 sasia rritet në 10 për qind.

“Sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind të sasisë të konsumuar në sektorin e transportit në vitin 2024. Nga viti 2025 e në vazhdim, kjo sasi do të jetë jo më pak se 10%” thuhet në nenin 4 të draftit.

Sipas qeverisë, qëllimi i ligjit është të krijohen politika nxitëse për kultivimin e bimëve energjetike ne Shqipëri, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për prodhimin e biokarburanteve, biolëngjeve dhe biogazeve sipas direktivës së Parlamentit Europian të vitit 2018.

Biokarburantet janë një lloj karburanti që prodhohen nga bimët dhe konsiderohen si miqësor me ambientit për shkak se nuk emetojnë karbon apo gaz kur digjen në motorë. Për këtë arsye, Bashkimi Europian ka miratuar një direktivë, e cila i detyron vendet anëtarë apo ato që aspirojnë të anëtarësohen, që një pjesë të karburantit që konsumojnë të jetë biokarburant.

Por çmimi i biokarburanteve në treg është mbi 2 herë më i lartë se sa ai i karburantit tradicional. Për të zbutur rritjen e kostove për qytetarët, shumë vende zbatojnë një regjim fiskal lehtësues për biokarburantet. Edhe qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ndjekë të njëjtin model duke e përjashtuar totalisht nga taksat këtë produkt.

“Tregtimi i biokarburanteve per nje periudhe prej 10 vjetesh nga data e hyrjes ne fuqi te ketij ligji te jete i perjashtuar nga regjimi fiskal ne Republiken e Shqiperise vetem per sasine e biokarburanteve te pastra,: shkruhet në nenin 15 të projektligjit.

Lobime dhe akuza

Drafti për biokarburantet është tentuar edhe më parë të miratohet. Por dy vjet më parë, kjo nismë u bllokuar nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese për shkak të lobimit nga kompanitë e karburanteve, por edhe shqetësimet për rritjen e kostove për qytetarët.

Disa prej shoqërive që tregojnë karburant thonë se drafti i propozuar nga qeveria vendos kërkesa të paarsyeshme, që nuk gjenden në asnjë model nga ato që zbatojnë vendet e BE-së. Pjesa më e kontestuar është ajo e kërkesave që lidhen me liçencat e prodhimit dhe përzierjes së biokarburanteve. Sipas tyre, këto kërkesa nuk i shërbejnë qëllimit të ligjit dhe krijojnë kufizim të konkurrencës në treg.

Një tjetër shqetësim është ai se ligji do të rrisë çmimin e karburanteve për qytyetarët. Për shkak se biokarbuantet aktualisht kushtojnë mbi 1400 dollarë për ton, nga 580 që është karburanti i zakonshëm, kjo do të sjellë rritjen e kostove për qytetarët, pavarësisht se ligji i përjashton biokarburantet nga taksat. Për shkak të këtyre debateve, ligji ka mbetur për disa vjet në sirtaret e qeverisë. Ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse këtë herë Parlamenti do ta miratojë atë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *