13 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rikthehet projekti 1 mld euro i linjës nënujore me Italinë

Qeveria shqiptare dhe ajo italiane duket se kanë rënë dakord më në fund të avancojnë projektin madhor për linjën nënujore të transmetimit Vlorë – Bari. Projekti, i cili vlerësohet se ka një kosto prej mbi 1 miliardë eurosh do të mundësonte lidhjen e sistemit energjetik mes dy vendeve duke i dhënë akses prodhuesve shqiptarë që të eksportojnë energji në Itali.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se në financimin e projektit mund të përfshihet edhe gjigandi TAQA, kompania shtetërore e energjisë në Abu Dhabi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Me Drejtorin e Përgjithshëm të TAQA, Jasim Husain Thabet, gjatë takimit të dy skuadrave për realizimin e projektit madhor për linjën e transmetimit Shqipëri – Itali,” postoi Balluku në profilin e saj në facebook.

Projekt i hershëm

Në vitin 1979, inxhinieri shqiptar Sotir Andrea kreu një studim “Mbi mundësinë e lidhjes të sistemit energjetik 220 KV shqiptar, me atë të Italisë” . Rrjeti do të përdorej kryesisht për eksportin e energjisë elektrike, nëpërmjet detit Adriatik, me anë të një kablli me rrymë të vazhdueshme. 

Gjatë dekadave të fundit idea është riaktivizuar disa herë, por deri tani gjithçka ka mbetur në letër. Megjithatë burime brenda qeverisë thonë se këtë herë projekti është diskutuar gjerësisht mes dy kryeministrave dhe Meloni ka dhënë dakortësinë për fillimin e tij.

Burime zyrater nga OST thanë për Kapitalin se brenda pak ditëve do të nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit mes dy operatorëvë kombëtar të transmetimit, OST-së dhe TERNA-s për t’i hapur rrugë studimit të fizibilitetit. Sipas tyre, pas studimit të fizibilitetit do të përcaktohet edhe skema, por dhe burimet e financimit të veprës.

Burimet e reja

Ndërtimi me shpejtësi i burimeve të reja të energjisë e kanë bërë të domosdoshme ndërtimit e linjave të reja të transmetimit të energjisë. Prodhuesit privat shqiptar të energjisë elektrike do të kishin më shumë akses në tregjet europiane për të shitur energjinë.

Aktualisht Shqipëria ka linja transmetimi me Greqinë, Malin e Zi dhe atë të Maqedonisë në progres, por ndërtimi i një linje më Italinë do t’u jepte mundësi prodhuesve shqiptar të kishin akses në një nga tregjet më të mëdha energjetike në Europë.

Megjithatë deri tani gjithçka është ende në fazën e diskutimeve paraprake. A do të avancojë projekti për ndërtimin e linjës këtë herë, ndryshe nga e kaluara kur mbeti gjithmonë në letër për shkak të kostove të larta. Kjo mbetet për t’u parë por shumë ekspertë thonë se këtij investimi i ka ardhur koha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *