12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rinasi bëhet aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor

Për herë të parë në histori, Aeroporti i Rinasit ka shënuar numrin më të lartë të pasagjerëve në rajon duke lënë pas aeroportet e Serbisë dhe atë të Bullgarisë. Pasi arriti një shifër historike për numrin e pasagjerëve gjatë vitit 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, është rikonfirmuar edhe në këtë fillim të vitit të ri. Vetëm gjatë muajit janar nëpërmjet këtij aeroporti kanë udhëtuar mbi 652 mijë pasagjerë.

Një numër tepër i lartë për këtë muaj të vitit, duke e renditur atë në vend të parë ndër aeroportet e rajonit, madje duke kaluar edhe aeroportin e Beogradit, që mban një peshë të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor. Vetë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka postuar në rrjetet sociale këto shifra, ku verëhet qartë diferenca me homologët në rajon.

Vlen të kujtohet se vitin e kaluar 7,257,634 pasagjerë kanë përdorur këtë portë ajrore të Shqipërisë për të udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Kjo shifër është 40% me e lartë krahasuar me një vit më parë dhe 117% krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2023, destinacionet kryesore të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës luajtën një rol kritik në tërheqjen e pasagjerëve dhe nxitjen e lidhjes rajonale. Pesë destinacionet më të mira, të udhëhequra nga Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe, përbënin një pjesë të konsiderueshme të trafikut të pasagjerëve.

Italia mbetet tregu dominues, ku vetëm vitin e kaluar zuri 44% të totalit të udhëtimeve me 3,1 milionë pasagjerë. Më pas vjen Gjermania me 13%, ose rreth 1 milion pasagjerë, ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 8%, ose rreth 500 mijë pasagjerë, Turqia me 6% dhe Greqia me 4% të totalit të udhëtimeve.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria gjatë vitit 2023 u vizitua nga afro 10.2 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rritje me 34.6%, krahasuar më një vit më parë. Kjo shifër padyshim që reflekton një rekord historik të padiskutueshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *